Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me përfaqësues të Federatave të Sportit dhe Komitetit Olimpik në vend për të prezantuar programin e ri të qeversisë për sportin.

Rama tha se duhet një bashkëpunim i ngushtë me Komitetin Olimpik dhe federatat, pasi fokusi nuk do të jetë vetëm te lëvizjet sportive rinore në hapësirat e shkollave dhe universiteteve.

“Ka prindër qe paguajnë për stërvitjen dhe zhvillimin sportiv të fëmijëve të tyre dhe është koha që të gjitha këto skuadra, organizime e klube të formalizohen dhe të krijojmë një hartë të plotë të të gjithë veprimtarisë sportive dhe njëkohësisht të krijojmë edhe një sistem përgjëgjshmërie nga ana e federatave, që janë kyç për të monitoruar aspektin teknik, komiteti olimpik dhe vetë strukturat përkatëse të qeverisë” u shpreh ai.

Kryeministri theksoi se në vitin e ri akademik do të krijohen skuadra sportive në çdo shkollë, të cilat do të garojnë në kampionatet e bashkive përkatëse, e do të pasohet në të ardhmen edhe nga një kampionat kombëtar.
Gjithashtu ai shtoi se: “Në fund të fundit kjo është edhe baza e gjerë prej ku pastaj spikasin talentet dhe nga ku marrin rrugën për t’u ngjitur më lartë në sportin profesionist.”

“Sot kemi një numër të konsiderueshëm palestrash që janë me standarde optimale dhe kemi një bazë shumë të mirë për të zhvilluar aktivitetin e lëvizjes sportive të shkollave. Po nga ana tjetër patjetër që kemi nevojë ta rrisim numrin e palestrave. Ne po bëjmë inventarizimin e të gjithë palestrave në një databaze të vetme, ashtu dhe të të gjithë terreneve sportive të hapura në një databaze të vetme” u shpreh Rama.
Janë ndërmarrë disa ndryshime në ligjin “Për Sportin” ku tashmë një sportist elitar personifikohet me “status”, i cili përmban në vetvete një program zhvillimi, përcaktim kriteresh, mbështetje financiare dhe shpërblim për arritje.
Kështu, janë akorduar 140 milionë lekë për pjesëmarrjen e sportistëve elitarë në kompeticionet ndërkombëtare dhe për herë të parë në disiplinën e peshëngritjes, do të shpërblehen medalistët për secilën garë (shtytje, shkëputje dhe në dygarësh), jo siç ishte më parë, vetëm për dygarëshin.

Një ndër synimet kryesore të shtetit shqiptar sa i takon politikave në sistemin arsimor është mbushja cilësore e kohës së lirë që fëmijët dhe të rinjtë kanë midis shkollës dhe shtëpisë, prandaj Federatës Shqiptare të Sportit Universitar i është akorduar shuma 5.2 milionë lekë, ndërsa Federatës Shqiptare të Sportit Shkollor 1 milionë lekë.

Që nga viti shkollor 2018-2019 u rikthyen klasat e profilizuara në sport, në disiplinat e volejbollit, futbollit dhe basketbollit, një nismë kjo e mbështetur edhe nga federatat sportive respektive.

Janë krijuar dhe funksionojnë 223 klasa sportive në 121 shkolla në vend, që janë të pajisura me palestra e terrene sportive dhe synohet që në vijim të hapen edhe klasat për gjimnastikë, tenis dhe atletikë.