Ministret Kushi dhe Nagavci nënshkruan sot marrëveshjen për abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë.
Fjala e plotë e ministres Kushi në konferencën për media:
Për ne shqiptarët e Shqipërisë është gjithmonë kënaqësi të jemi këtu në Kosovë. Por sidomos unë sot, në këtë pozicion të ri që tashmë mbaj prej një viti, e kam pritur me padurim një vizitë zyrtare këtu në Prishtinë dhe pikërisht në Ministrinë e Arsimit të Kosovës, për të konfirmuar edhe një herë bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi në fushën e arsimit tashmë të konkretizuar në shumë projekte dhe në shumë arritje të përbashkëta.
Por nuk e kisha menduar që kjo vizitë e imja e parë këtu do të përkonte me një ngjarje kaq të rëndësishme, me një moment kaq emocionues dhe kaq krenar për të gjithë, siç është nënshkrimi për marrëveshjen për abetaren e përbashkët unike për të dyja vendet tona. Nuk ka kaluar as një muaj nga mbledhja e përbashkët e dy qeverive në Shqipëri, në Elbasan, ku kryeministri Edi Rama hodhi idenë për një abetare të përbashkët unike dhe bëri ftesën zyrtare qeverisë së Kosovës, ftesë e cila u pranua menjëherë.
Ja ku jemi sot këtu, në një kohë rekord. Pikërisht për të nënshkruar këtë marrëveshje. Nuk është hera e parë që ne punojmë me kaq shumë dashuri për projekte të përbashkëta. Edhe në mbledhje e përbashkët të qeverive në Elbasan ne nënshkruam një marrëveshje që ishte shumë e nevojshme tashmë prej vitesh për lehtësimin e procedurave dhe shkurtimin e afateve për njohjen e diplomave, kualifikimeve dhe gradave shkencore të të rinjve shqiptarë, të studentëve apo studiuesve nga të dyja vendet tona.
Po në nëntor ne promovuam së bashku një punë disa mujore për librin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare për diasporën që gjithashtu do të shërbejë si një bazë dhe përvojë ekzistuese në mënyrë që dhe abetarja e re që do të nënshkruajmë të jetë një abetare cilësore dhe me standarde.
Unë i vlerësoj të gjitha eksperiencat e mëparshme edhe për abetaret ekzistuese por në kushtet e reja në të cilat ndodhemi jemi të bindur që një abetare e re unike është mëse e nevojshme. Jemi në një kontakt të ri social, kulturor. Kemi një kurrikul të re të bazuar në kompetenca, kemi gjithashtu zhvillime të metodave të mësimdhënie, kemi zhvillime të teknologjisë dhe revolucionit digjital. Të gjitha janë argumente dhe arsye që na çojnë drejt hartimit të një abetareje të re të përbashkët shumë herë më të mirë se të gjitha abetaret ekzistuese të deritanishme.
Dua të falënderoj grupin teknik të punës të të dyja ministrive tona që kanë punuar ditë e natë, sidomos gjatë javës së fundit, për ta finalizuar këtë marrëveshje që nënshkruam sot. Gjithashtu dua të falënderoj nga zemra ministren Nagavci e cila ka treguar një vullnet maksimal që në momentin e parë, jo vetëm për këtë marrëveshje, por edhe për shumë marrëveshje të tjera që tashmë ne i kemi, por që do t’i çojmë akoma dhe më përpara. Është përgjegjësi e jona e përbashkët që të garantojmë një konkurs të hapur transparent, të barabartë që vogëlushët shqiptarë vitin e ardhshëm 2022-2023 si dhuratë edhe për 110 vjetorin e pavarësisë të kenë abetaren unike të përbashkët. Nuk ka më mirë se sa një komb, një gjuhë, një abetare.