Sot po zhvillon punimet Asambleja e Parë e Urdhrit të Punonjësit Social, ku votohet që të zgjidhet kryetari i Urdhrit bashkë me anëtarët e Këshillit Kombëtar të Punonjësve Socialë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në fjalën e saj tha se sot po finalizohen përpjekjet disa vjeçare për t’u dhënë punonjësve socialë rëndësinë që u takon.
“Urdhri i Punonjësit Social do t’i forcojë autoritetin profesional të punonjësve socialë. Urdhrat e profesionistëve janë shumë të rëndësishëm që shërbimet të kenë standarde. Ky është momenti, ajo pikë kthese në atë që meritojnë punonjësit socialë, si profesionistë brenda gjithë aktivitetit të madh në funksion të zhvillimit shoqëror. Sot hyjmë në një epokë të re ku do të konstituohet Asambleja e Parë, do të zgjidhen organet drejtuse të këtij Urdhri dhe shumë shpejt Urdhri do të bëhet efektiv”, tha Manastirliu.
Në fjalën e saj Manastirliu tha se licensimi i punonjësve sociale do të rrisë cilësinë e shërbimeve në të gjithë rrjetin e shërbimeve sociale që ofrohen në vend.
“Licensimi i punonjësve socialë do të jetë një ndër instrumentat më të rëndësishëm për të bërë të mundur rritjen e cilësisë së shërbimeve të gjithë strukturës sonë të mbrojtjes sociale. Duke pasur punonjës socialë të licensuar ne jemi të qetë që do të ofrojmë dhe ofrojmë ato shërbime me të vërtetë cilësore që meritojnë grupet të cilat marrin shërbime në të gjithë rrjetin e shërbimeve tona sociale apo edhe në institucionet tona”, tha Manastirliu.
Duke folur për shërbimet sociale në vend Manastirliu tha: “Në gjithë këto vite kemi ndërtuar dhe kemi hedhur baza të shëndosha për ngritjen e shërbimeve sociale ku kontribuesit krysorë janë punonjësit socialë. Mbulimi me shërbime sociale në territor padyshim është më mirë se dje sepse kemi hapur shërbime të reja në gjithë vendin dhe do të vazhdojmë ta bëjmë”.
Asambleja e parë e Urdhrit të Punonjësit Social është mbledhur sot, për të zgjedhur organet drejtuese të Urdhrit të Punonjësit Social të Shqipërisë dhe 9 anëtarët e Këshillit Drejtues të këtij urdhri.