Rindërtimi i shtëpive dhe pallateve të dëmtuara nga tërmeti vijon edhe këto ditë të fundit të vitit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte në shtëpinë e re të Islam Dervishit në Farkë, e cila u dëmtua nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe sot është rindërtuar më e madhe dhe më e fortë.

Veliaj tha se është moment i mrekullueshëm kur viti mbyllet me punë të mira dhe se tashmë, Farka është një vend i lakmuar nga të gjithë, falë investimeve që janë bërë nga projekti i rindërtimit dhe Bashkia e Tiranës.

“Ne kemi dy mundësi: Ose të merremi me logje, t’i vëmë gjoba njëri-tjetrit, ose merremi me punë, që të ngelet një vepër konkrete, një ndërtesë, një shtëpi, një pallat, një kopësht, një shkollë, një çerdhe, një park. Me këtë moto, me fokusin te puna, jemi si dita me natën. Farka ishte një nga vendet më të prekura nga tërmeti, me rreth 100 shtëpi të dëmtuara, por sot themi se janë rindërtuar 100 vila, sepse këto janë vila”, u shpreh Veliaj.

Veliaj bëri me dije se në fillim të vitit tjetër do të nisë puna për ndërtimin e rrugës së Agallarëve dhe për tregun e madh Agro-ushqimor në zonën e Farkës.

“Që në fillim të vitit tjetër do të nisim punë për rrugën e Agallarëve – është një komunitet e një lagje nga më të vjetrat e Farkës, ndoshta hapësira e fundit ku ende duhet të vëmë dorë këtu. Gjithashtu, do vazhdojmë me kolegët tanë amerikanë edhe me kopshtin dhe çerdhen dhe besoj se projekti më i madh, që rastësisht qëllon të ndërtohet në Farkë, por do i shërbejë të gjithë zonës rurale, është Tregu i Madh Agroushqimor”, nënvizoi ai.

Në fund, kryebashkiaku i ftoi të gjithë që në këtë fundvit të bëhen të gjithë bashkë për të vazhduar përpara.

“Ftesa ime për të gjithë, përveçse t’ju them Gëzuar Vitin e Ri – edhe kundërshtarëve – është: Të bëhemi të mirë me njëri-tjetrin. Jo të biem dakord në gjithçka, sepse është ok të mos biesh dakord për gjithçka, por jo duke shpifur, jo duke penguar, që vendi të eci përpara. Në fund të ditës, në këto shkolla shkojnë dhe të majtë e të djathtë, në këto rrugë e në këto parqe shkojnë të majtë e të djathtë”, përfundoi Veliaj.