Nga Enver Robelli/
Prej vitesh, e sidomos në prag të festave, mijëra njerëz po terrorizohen nga agjencitë e fluturimeve me mesazhe dhe thirrje telefonike.
Agjenci me emra nga perandoria e fantazisë thërrasin e dërgojnë mesazhe me qëllim të shitjes së biletave. Ky terror është shkelje e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, shkelje e privatësisë, keqpërdorim i numrave të telefonit.
Diçka nga përvoja personale: këto agjenci kriminale lëre që më terrorizojnë mua, por edhe të gjithë kolegët dhe miqtë zviceranë, me të cilët kam telefonuar kur kam qenë në Kosovë.
Një koleg imi, fotograf i njohur, me të cilin para disa vitesh kam qenë në Kosovë, sapo më dërgoi një email me këtë përmbajtje: “Vazhdimisht po marrë thirrje nga numra të ndryshëm të telefonit mobil me oferta për fluturime.
Kur i thërras për t’iu thënë se duhet ta shlyejnë numrin tim, askush nuk flet gjermanisht apo anglisht.
A mund t’ju thuash të më lënë të qetë? Do të isha mirënjohës. Këto thirrje janë nervangacmuese dhe ata janë shumë të pasjellshëm kur ju telefonoj”.
Ky është njëri nga shumë rastet e terrorit telefonik. Kjo kërdi telefonike është e pamundur të ndalet nga një person i vetëm që është cak i ndërhyrjeve të tilla të paligjshme. Institucionet e Kosovës duhet të ndërhyjnë urgjentisht për t’i dhënë fund kësaj praktike.
Kush po ua jep (shet?) numrat tanë agjencive dubioze të udhëtimit?
A ka përgjigje Telekomi i Kosovës? A ka përgjigje ministria përkatëse? A ka përgjigje agjencia për mbrojtjen e të dhënave? A kanë përgjigje shoqatat për mbrojtjen e konsumatorëve?