Shkolla 9-vjeçare “Vaçe Zela” dhe gjimnazi “Kristo Frashëri”, një investim cilësor për më shumë se 1350 fëmijë të Njësisë 9 dhe Njësisë 11 në Tiranë, kanë zgjidhur përfundimisht çështjen e arsimit në këto dy njësi. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Kryeministri Edi Rama, të shoqëruar nga projektuesi i njohur Italian, Stefano Boeri, inspektuan mjediset e dy shkollave, ku në një pjesë të saj ka filluar mësimi.
Veliaj theksoi se ky projekt është pjesë e një programi fantastik të 17 shkollave të reja. “Kemi 17 shkolla të këtij projekti, në partneritet 50 me 50 qeveri-bashki, ndërkohë më vjen mirë të përmend se kemi hapur 14 shkolla në Tiranë, falë projektit të rindërtimit pas tërmetit. Me e bukura që sapo hapëm është “Lasgush Poradeci” në Kombinat. Kam përshtypjen se 2021, me gjithë problematikat e Covid-it, do të hyjë në librin Guinnes në qytetin e Tiranës si viti kur u hapën më shumë shkolla në një dorë të vetme në 101 vitet e Tiranës kryeqytet”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë siguroi se kompleksi i ri ofron standardet më të mira evropiane, jo vetëm në mjedise sportive dhe laboratorë, por edhe për numrin e nxënësve nëpër klasa. “Shkollat “Vaçe Zela”, “Kristo Frashëri”, “Kennedy” dhe “Nënë Tereza”, dhe shkolla “Andrea Stefani” tek rrethrrotullimi i Shqiponjës, zgjidhin përfundimisht çështjen e arsimit në të gjithë zonën, duke filluar nga Kodër Kamza deri në Laprakë. E fillojmë me një kopësht, vazhdon te 9-vjeçarja, e cila ka një kat të ndërtesës, vijon pastaj me gjimnazit në katin tjetër, me dy palestra, me salla, me 8 salla laboratorike, dhe me klasa ku mesatarja është ajo evropiane, me 20-25 vetë. Kemi zgjidhur përfundimisht ngërçin që kemi pasur Njësinë 9 dhe Njësinë 11 me shkollat e reja”, u shpreh Veliaj.
Kryebashkiaku iu përgjigj edhe skeptikëve lidhur me lagjen e re “5 Maji”, ku do të strehohen familjet e prekura nga tërmeti. “Kryeministri pyeti me të drejtë pse nuk është shkolla plot. Drejtoreshat vunë buzën në gaz, sepse e dinë atë muhabetin tonë të brendshëm se në këtë qytet përplasen dyshimet dhe besimi. Tek “5 Maji” një tjetër projekt i Stefano Boerit përplasen dyshimet dhe besimi. Ata që thonë s’nuk, nuk kanë për t’u bërë, këto janë të gjitha 3D, dhe ata të tjerët që thonë ki besim, se derisa u bënë 99 gjëra, do të bëhet edhe e 100-a. Por edhe në fillim kishim një dyshim nga disa prindër që thoshin se kjo s’ka për të mbaruar kurrë, më mirë të rrinë me turne te shkolla “Ahmet Gashi”, apo shkollat e tjera të njësisë. Sot 1/3 e kapacitetit është e përdorur. Jam i sigurt se do të tejkalojmë gjysmën në janar, dhe në shtator do të kemi shkollën më të madhe për momentin në Tiranë dhe Republikë, me 100 % të kapacitetit”, nënvizoi ai.
Veliaj theksoi se falë skemës së përzgjedhur nga qeveria për partneritetin publik-privat fëmijëve u është garantuar infrastrukturë cilësore brenda një kohe të shkurtër. “Ju uroj të gjithë shumë sukses atyre që besuan në këtë projekt e koncept financiar, kryeministri, zv/kryeministri që bënë një eksperiment se çdo të thotë të ndërtonim shkollat sot dhe t’i paguajmë ndër vite, në shtatë vitet e ardhshme, për t’u siguruar se fëmijët e kanë cilësinë dhe mësimdhënien dhe afërsinë me komunitetin, me banesën e tyre sot, jo nesër”, deklaroi Veliaj.
Viti i ri shkollor 2021-2022 do mbahet mend si viti ku në Tiranë u ndërtuan më shumë shkolla se asnjëherë tjetër më parë, duke shkuar kështu drejt fundit të mësimit me turne. Shkollat e reja do u shërbejnë edhe banorëve të zonave si qendra komunitare pas zhvillimit të mësimit.