Shkupi Zyrtar ka shpresa se Bullgaria mund të heq veton dhe t’i hapë rrugën drejt integrimit në BE. I dërguari special i Maqedonisë së Veriut në Bullgari për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mes dy vendeve, Vlado Buçkovski u shpreh optimist se Bullgaria do të heqë veton për Maqedoninë e Veriut në 2022.
Buçkovski shprehet se është bërë përparim në ndërtimin e besimit mes dy vendeve, ndërsa shpreson të ketë rezultate pas takimit të kryeministrit të ri maqedonas Dimitar Kovaçevski me homologun e tij bullgar Kiril Petkov, i parashikuar për në mesin e muajit Janar.
Në vitin 2021 Bullgaria nuk kishte qeveri të rregullt për 8 muaj. Në vend u mbajtën tre zgjedhje parlamentare dhe një presidenciale. Kjo ndikoi seriozisht në përpjekjet tona për të gjetur një zgjidhje të pranueshme reciprokisht dhe për të hequr bllokadën në rrugën tonë drejt BE. Në vitin 2022 pres që të arrihet një zgjidhje e pranueshme reciprokisht me Bullgarinë. Një zgjidhje që do të bazohet në respektin e ndërsjellë dhe do të ruhet. Bllokada bullgare do të hiqet. Fillimi i negociatave me BE më në fund do të jetë një realitet,” tha Buçkovski.
Jo vetëm Shkupi, por edhe Tirana Zyrtare është me sytë nga Sofja, ku vetoja bullgare për Maqedoninë e Veriut ka bllokuar edhe Shqipërinë në rrugën drejt BE-së, pasi Brukseli kërkon që dy vendet të ecin së bashku drejt integrimit. Megjithëse Bullgaria ishte nën presionin ndërkombëtar për të zhbllokuar fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kjo nuk ndodhi. Një ditë para ndërrimit të viteve edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se nëse Bullgaria bllokon sërish Maqedoninë e Veriut për integrimin enë BE, atëherë Shqipëria do të kërkojë ndarjen.
Bullgaria, shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 ka vendosur veto ndaj Maqedonisë së Veriut, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin. Sofja pranon gjuhën dhe identitetin maqedonas, por vetëm pas vitit 1945, para kësaj periudhë, ato, sipas saj, kanë pasur “rrënjë bullgare”.