Meteorologia Lajda Porja ka treguar si do të jetë moti në javën e parë të vitit 2022. Deri të premten, java parashikohet si një “mini-pranverë” me temperatura të ngrohta dhe mot të kthjellët dhe pa prani vranësirash.
Duke nisur nga e premtja dhe më tej në fundjavë, në vend parashikohet të mbizotërojë një sistem vranësirash që do të gjenerojë reshje shiu në disa zona. Të njëjtat kushte atmosferike janë parashikuar edhe për vendet e rajonit si Kosova apo Maqedonia e Veriut.
“Moti i kthjellët dhe i ngrohtë do të na shoqërojë gjatë gjithë javës në të gjithë territorin shqiptar. Vranësirat do të jenë pak të pranishme. Duke filluar që nga dita e premte një sistem vranësirash do të vendoset në territorin shqiptar duke na sjellë reshjet e shiut dhe reshje të pakta në zonat malore.
Sa i takon vlerave termike, temperaturat e larta mbeten prezent deri ditën e premte ku maksimumi do të jenë edhe 17 apo 18 gradë. Parashikohet rënie e temperaturave vetëm në fundjavë.
Sa i përket rajonit, Kosova karakterizohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike. Deri të premten do të ketë mot të kthjellët. Fundjava do të sjellë reshje të cilat do të jenë në sasi të pakta. Temperaturat e ajrit priten të variojnë nga 1-2 gradë deri në 14 gradë.
Në Maqedoninë e Veriut parashikohet mot i kthjellët dhe shumë pak vranësira të pranishme. Dita e premte dhe fundjava do të sjellë vranësia dhe reshje ndërsa temperaturat do të pësojnë ulje”, tha Porja.