Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se të shtunën, më 29 janar, janë regjistruar 3,628 raste të reja me koronavirus, pas testimit të 14,479 mostrave. Shkalla e pozitivitetit nga mostrat e marra është 25.05 për qind. Në 24 orët e fundit nuk ka pasur viktima me këtë virus.
Autoritetet shëndetësore kanë njoftuar edhe se 697 persona janë shëruar derisa 33,952 persona janë ende aktivë në koronavirus. Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në mars të vitit të kaluar. Prej atëherë janë dhënë mbi 1.7 milion doza të vaksinës.
Deri më tani, me dy doza të vaksinës janë imunizuar 804,801 persona apo 44.7 për qind e popullsisë. Qytetarët në Kosovë mund të marrin vaksina të kompanive: Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca. Doza përforcuese e vaksinës mund të merret pas tre muajve të marrjes së dozës së dytë. Qeveria e Kosovës ka miratuar më 21 janar, masa të reja për luftim të pandemisë.
Sipas vendimit të Qeverisë, qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të jenë të vaksinuar plotësisht dhe të kenë edhe dozën përforcuese. Ata që nuk kanë dozën përforcuese, duhet të kenë test negativ të llojit PCR, të vlefshëm për 48 orë. Kufizimi i qarkullimit do të aplikohet nga ora 22:00 deri në orën 05:00. Bizneset e gastronomisë mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri më 21:00.