Nga Kujtim Topuzi /
Viti që sapo lamë pas ishte një ‘tërmet’ sa i përket zhvillimeve të forta në politikën shqiptare. Mandati i tretë për Qeverinë Rama, që ndodh për herë të parë në 31 vite pluralizëm, si dhe çarja e thellë në marrëdhëniet mes opozitarëve, me përplasjen PD-LSI apo Berisha-Basha, kanë shënjuar politikën sigurisht edhe për vitet në vijim. Por 2022-shi nuk na premton ‘qetësi’. Në 365 ditët në vijim priten përplasje dhe zhvillime të forta, që do të përcaktohen vendime të rëndësishme, duke përfshirë fatin e Partisë Demokratike, fatin e Presidentit Ilir Meta apo ndryshime të rëndësishme kushtetuese.
Përplasja ‘finale’ Berisha-Basha në PD dhe partia si ‘plaçkë divorci’ në gjykatë
2022-shi pritet të jetë viti i përplasjes finale në Partinë Demokratike. ‘Dueli’ mes ish-kryeministrit Sali Berisha që konsiderohet nga demokratët si lideri historik i PD-së dhe Lulzim Bashës, biri politik i të parit, i ardhur në politikën shqiptare me bekimin dhe mbështetjen e pakursyer të paraardhësit të tij do të përcaktojë të ardhmen e Partisë Demokratike dhe të opozitës shqiptare. Lulzim Basha e ‘kaloi Rubikonin’ më 9 shtator, kur edhe pse me argumente që tashmëështë ‘penduar’ edhe vetë e pezulloi Berishën nga qenia në grupin parlamentar të partisë që ai vetë themeloi dhe drejtoi për 22 vite. Berisha filloi ‘luftën’ në 2 fronte, me SHBA-të dhe me Lulzim Bashën. Këtij të fundit ia kujtoi disa herë ‘besnikërinë’, ‘paburrërinë’ apo faktin qëështë ‘besëprerë’, duke mos e fshehur lëndimin. Pas betejave me Kuvende (11 dhe 18 dhjetor) dhe me brava, fundi i vitit 2021 e gjeti Selinë e PD-së disa herë të ‘pushtuar’, me ‘2 kryetarë dhe 2 kryesi’ dhe një derë të shqyer. Vetëm 5 ditë nga hyrja e këtij viti të ri Bashës i skadon ‘ultimatumi’ që i ka vënë Berisha për të liruar ‘Kështjellën blu’. Ish-kryeministri e ka konsideruar si ‘përmbarues’ ata që i quan populli demokrat, të cilët sipas tij do të zbatojnë vendimin e Kuvendit të 11 dhjetorit dhe referendumit për ta shkarkuar Bashën. Përplasjet nuk përjashtohen.
Por çështja tashmëështë në Gjykatën e Tiranës. PD është ‘plaçka’ e divorcit mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. 2 statute të dala nga 2 kuvende për 1 parti. Vendimi i Gjykatës do t’i japë legjitimitetin njërës prej palëve edhe pse ‘ujërat tashmë në kënetën blu’ duket se nuk do të qetësohen. Ky vit mund të jetë edhe viti i krijimit të një force tjetër, e dalë nga Partia Demokratike. E sigurt është që viti 2022 do të jetë ndryshe nga të tjerët për jetën opozitare në Shqipëri. Sa i përket domosdoshmërisë për një forcë të re politike në vend, nga ky këndvështrim nuk ka ‘asgjë të re nga fronti i perëndimit’.
Vendimi i Kushtetueses për Metën dhe rikthimi i Presidentit në LSI
Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë më 18 janar të këtij viti vendimin e Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Që Presidenti të shkarkohet, pro vendimit të Kuvendit duhet të votojnë të paktën 5 anëtarëdhe duhet patjetër të marrin pjesë në votim 6 anëtarë. Gjykata Kushtetuese ka aktualisht 7 anëtarë nga 9 që duhej të kishte gjithsej. Meta është shkarkuar nga Kuvendi me argumente të tilla si shkelje të rënda të Kushtetutës, provokim të cenimit të marrëdhënieve me SHBA, shantazh ndaj drejtësisë, thirrje për veprime të dhunshme, nxitje urrejtje, cenim të sigurisë publike etj. Më 9 qershor 2021, Kuvendi i Shqipërisë, deputetët kanë votuar në favor të shkarkimit të presidentit, Ilir Meta me 104 vota, duke thënë se ai ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës. Deputetët e Partisë Socialiste në pushtet ngritën këtë Komision Hetimor parlamentar, i cili gjeti 17 shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit. Shkarkimin e Metës, Partia Socialiste e ka konsideruar si një nevojë për të “çliruar Presidencën nga një pengmarrje”. Kjo ishte nisma e dytë përmes një komisioni të dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra. Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta, i cili përmes zëdhënësit të tij u shpreh se “s’do tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale e ndërkombëtare” dhe se ky vendim ishte antikushtetues dhe antiligjor.
Vendimi i Kushtetueses është një ‘e panjohur’ e madhe e skenës politike shqiptare ende, por rikthimi i Ilir Metës në gjirin e partisë që krijoi tashmë është thuajse e sigurt. Shkarkimi apo jo nga Kushtetuesja vetëm sa do t’ia afronte apo do t’ia largonte me pak muaj rikthimin Metës duke qenë se mandati i tij mbaron më 24 korrik 2022, dhe rizgjedhja as nuk shikohet si mundësi.
Shqipëria me President të ri dhe ‘dora e shtrirë’ e Ramës për Bashën
Siç e thamë edhe më lart, sidoqoftë vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin apo jo të Presidentit Ilir Meta, vendi do të ketë një President të ri këtë vit. Nëse Meta ‘falet’ nga Kushtetuesja atëherë më 24 korrik 2022 në karrigen e tij do të ulet një tjetër. Procedura e zgjedhjes së Presidentit është paraparë në nenin 87 të Kushtetutës. Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës, kështu që maksimumi në gjysmën e parë të majit do të kemi një Presidenti të ri. Ende nuk dihet nëse Presidenti do të zgjidhet me konsensus politik mes palëve në Kuvend. Kujtojmë se Kryeministri Rama që para zgjedhjeve në një intervistë për Report Tv, por edhe pas tyre në mënyrë sistematike ka ripërsëritur ftesën për bashkëpunim për LulzimBashën, duke e lënë të hapur edhe mundësinë që opozita të jetë ajo që ta propozojë emrin e Kreut të ri të Shtetit. A do të jetë zgjedhja e Presidentit të ri momenti i paktit të radhës të madh në politikën shqiptare? Na duhet të presim vetëm pak muaj!
Vetting në drejtësi VS vetting në politikë, ‘beteja’ e ndryshimeve kushtetuese
Ky vit 2022 pritet të jetë një tjetër vit ndryshimesh edhe për Kushtetutën e vendit. Pas ndryshimeve të vitit 2007, 2008, 2012, 2016 dhe ato të 30 korrikut 2020, ky që sapo hyri mund të jetë një tjetër ku do të ndërhyhet, e gjashta në vetëm 24 vite të jetës së shkurtër të ligjit themelor të shtetit shqiptar.
Kërkesës së mazhorancës për të bërë ndryshime kushtetuese për të zgjatur mandatin e KPK dhe komisionerit publik, që përbëjnë shkallën e parë të vettingut, pasi u mbaron në qershor të 2022-shit, LulzimBasha dhe Partia Demokratike iu përgjigjen me një ‘Kushtetutë të re’. PD kërkon zhbërje të ndryshimeve kushtetuese të korrikut 2020, që mazhoranca bëri me opozitën parlamentare që nuk ishte PD-LSI, kërkon ndryshime në hartën territoriale të Shqipërisë dhe me ndryshime për vettingun e politikanëve. Propozimi më i rëndësishëm i PD ka të bëjë me propozimin për vetting të politikanëve. Një nismë deri diku të ngjashme me vitin 2018, që u kritikua dhe u hodh poshtë nga Komisioni i Venecias, duke vënë në diskutim vlerën e propozimit dhe theksuar rrezikun për shkeljen e të drejtave të themelore. Megjithatë, tre vite më pas, LulzimBasha ka rikthyer draftin për Vettingun e politikanëve, përmes disa amendamenteve kushtuese, më të zgjeruara dhe të detajuara. PD propozon që të përjashtohen nga e drejta e për t’u zgjedhur shtetasit që janë dënuar me burgim, me vendim përfundimtar të formës së prerë, për kryerjen e një krimi, ose shtetasit që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, ose pasuri të pajustifikuar ligjërisht, sipas rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
Edhe pse për t’i shkuar deri në fund propozimeve që kanë bërë për ndryshimet kushtetuese kanë nevojë për votat e njëri-tjetrit, kjo nuk i ka ndaluar PD-në dhe PS-në që të vijojnë në llogoret e tyre avancimin procedural për të shkuar deri te votimi në Kuvend. Duhen 94 vota për të bërë një ndryshim në Kushtetutë dhe të dyja palët janë shumë larg kësaj shifre. Propozimi socialist për zgjatjen e afateve të vettingut tashmë ka marrë dritën jeshile edhe të Komisionit të Venecias, ndërkohë që propozimi më i rëndësishëm i opozitës që vettingun në politikë ta bëjë SPAK ka hasur në kundërshtimin e këtij të fundit, pasi ishte vetë kreu i SPAK, Arben Kraja i cili tha se kështu institucioni që ai drejton shfokusohet nga objekti themelor i punës.
Të gjithë në pritje të Metës për zgjedhje të parakohshme në 6 bashki
Me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 qershorit të vitit 2019, e cila rrëzoi kërkesën e Shoqatës së Bashkive, të cilat pretendonin jo kushtetuetshmërinë e zgjedhjeve, tashmë Presidenti i Republikës do të duhet të përcaktojë një datë zgjedhjesh të parakohshme për 6 bashki në vend, të cilat janë pa një kryetar të zgjedhur.
Nga ana e Presidencës ka ardhur një reagim i fortë për këtë vendim të Kushtetues, duke e cilësuar si zhgënjyes dhe për interesa kundër popullit shqiptar.
Socialistët janë shprehur gati për një përballje të parakohshme elektorale lokale me demokratët në 6 bashki. Deri para vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Ilir Meta pati refuzuar të dekretojë një datë për zgjedhje në ato bashki, të cilat humbën kryetarin rrugës, pasi nuk pranonte të njihte 30 qershorin, por Partia Socialiste pret që Presidenti të ndryshojë qëndrim. Pritet që të zhvillohen zgjedhje të parakohshme lokale në Shkodër, Durrës, Vorë, Dibër, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Nga 6 bashki, Shkodra është e vetmja që drejtohet nga një kryetare me mandat të përfunduar kushtetues, pasi Voltana Ademi vendosi të qëndrojë në detyrë, ndërsa 5 bashkitë e tjera vijojnë punën me kryetar të komanduar.
Durrësi dhe Dibra mbeten pa kryetar për shkak se DionisImeraj dha dorëheqjen, ndërsa një deklaratë e pamenduar gjatë tërmetit të nëntorit 2019 do i kushtonte mandatin kryebashkiakes së Durrësit, Valbona Sako. Ndarja nga jeta e Haxhi Memollës la pa kryebashkiak të zgjedhur Rrogozhinën.
VAKANCAT NË BASHKI: Valdrin Pjetri, Shkodra, për shkak të dekriminalizimit; Valbona Sako, Durrës, për shkak të dorëheqjes; Agim Kajmaku, Vorë, për shkak të dekriminalizimit; DionisImeraj, Dibër, kandidoi për deputet; Haxhi Memolla, Rrogozhinë, ndahet nga jeta; Fatos Tushe, Lushnjë, u mor i pandehur nga SPAK për korrupsion.
Sipas ligjit Presidenti i Republikës duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme 45 ditë nga konstatimi i vakancës së organit të qeverisjes vendore. Vendimi ‘ergaomnes’ (i detyrueshëm për të gjithë) i Gjykatës Kushtetuese është zbardhur më 2 dhjetor, gati 30 ditë më parë. Me shumë mundësi në 2 javët në vijim do të duhet të kemi një datë për zgjedhje të parakoshme në vend. (Shqiptarja.com)