Durrësi, qytetërimi mijëravjeçarë, ka trashëguar mjaft vlera të së kaluarës, qendra historike dhe arkeologjike, por duket “se po mbytet” nga jeta moderne, ku plastika e mbeturinat hidhen kudo nga çdokush duke harruar jo vetëm etikën, por edhe ofenduar kulturën e lartë të këtij qyteti.
Durrësi prodhon 80 mijë ton mbeturina në vit dhe është e qartë, që jo të gjitha përfundojnë aty ku duhet, ku një pjesë e mirë hidhen në rrugë, qendrat kulture e shtratet e lumenjve. Aktorë e ambientalistë janë angazhuar për ndërgjegjësimin qytetar duke bërë thirrje për pastrimin e Durrësit, mbajtjen pastër të këtij qyteti dhe respektimin jo vetëm të jetës dhe shëndetit të njerëzve dhe gjësë së gjallë, por edhe vetë këtij qyteti të lashtë, që çdo vit frekuentohet nga mijëra turistë. Nëse ende nuk jeni bindur vetë për një qytet të pastër, dëgjoni thirrjen e aktorëve dhe ambientalistëve që do kenë ndikim te ju:
Adelina Muça, aktore: Durrësi prodhon 296 ton mbeturina në ditë, që do të thotë 80 mijë ton mbeturina në vit. Që do të thotë se nëse ne do t’i hidhnim të gjitha në rrugë çfarë do të ndodhte? A mundet që vetëm punonjësit e caktuar të përballojnë mbledhjen e mbeturinave që ti hedh në rrugë?
Alesia Xhemalaj, aktore: A mundesh që çdo lëkurë bananesh që ti hedh në rrugë të jetë dikush nga pas që ta mbledhë aty Atëherë i bie që secili prej nesh do të duhet të ishte një punonjës pastrimi nga pas. Por më thoni a ka kuptim kjo gjë?
Geri Emriri, editor i medias Amfora: A mundet që për çdo shishe plastike që ti hedh në një monument të trashëgimisë kulturore të jetë dikush nga pas që ta mbledh?
Muharrem Hoxha, aktor: A mundet për çdo qese mbeturinash që ti hedh nga ballkoni dhe mbesin në pemë të ketë një supermen që t’i kapi në ajër? Hë a mundet?
Gentian Zenelaj, aktor: Të gjithë ne vijmë në Durrës për të shijuar një pjatë peshk të freskët, por nëse vijojmë të hedhim mbetjet plastike në këtë formë, që kthehen në ushqim për peshqit, sigurisht që kthehen në ushqim për peshqit, ne çfarë po bëjmë? Po konsumojmë ushqim plastikë të përpunuar nga peshku?
Aishe Stari, aktore: Ju lutem mos përdorni qese plastike dhe mos i hidhni ato kudo. Tashmë unë kam disa vite që kam gjetur një shoqe (karroca e pazarit) më të cilin bëj pazarin dhe ajo mendon më shumë për qytetin tonë Durrësit
Giselda Palku, nismëtare e River Cleanup: Të mbash pastër qytetin tonë do të të thotë të kujdesesh edhe për shëndetin tonë. Të ndalemi, të ndërgjegjësohemi, sepse mbeturinat që ti hedh ndotin lumenj, rrezikojnë kafshë, shpendët dhe peshqit gjithashtu.
Genta Mësaj, nismëtare e River Cleanup: Durrësi pret dhe përcjell turistë dhe emigrantë e studentë çdo vit dhe të gjithë thonë se vinë nga qytete më të pastra. Edhe Durrësi mund të jetë një nga këto qytete, duke u kujdesur ti i pari për këtë.
këtë.
Haxhi Rama, aktor: Shumë veta thonë kot lodheni duke bërë aksione për pastrimin e qytetit, ai prapë do të bëhet pis. Atëherë ka vetëm një zgjidhje , të kujdesemi të gjithë që ta mbajmë pastër qytetin tonë, sepse ky qytet me këtë qytetërim mijëravjeçar meriton shumë më tepër qytetërim sot.
Geri Emriri, editor i medias Amfora: Përpiqu të ndërtosh të ardhmen tënde në këtë qytet duke mbajtur të pastër të shkuarën tënde.
Xhelal tafaj, aktor: Durrësi, qyteti ynë i dashur. Durrësi është shtëpia jonë e bukur buzë detit, mbaje pastër.
Emirjana Sako, kryetare Bashkisë Durrës: Bashkohu dhe ti me ne në nismën për ruajtjen e ambientit dhe mbrojtjen e mjedisit për një Durrës më të pastër, për një Durrës ku rriten fëmijët tanë.
Xhazmina Tafaj, durrsake e vogël: Faleminderit ty që kujdesesh për qytet të pastër sot, duke më lënë mua një qytet të pastër nesër.
Kjo thirrje që i është dedikuar Durrësit, sigurisht që vlerën e ka për çdo qytet dhe cep të Shqipërisë tonë të bukur.