Nga sot 1 janar 2022 dhe deri më 31 dhjetor 2023, Shqipëria do të ketë të drejtë vote për dy vitet e ardhshme për çështje me rëndësi ndërkombëtare mes 5 vendeve të përhershme në Këshillin e Sigurimit në OKB, SHBA-së, Anglisë, Francës, Kinës dhe Rusisë.

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka teksa uroi një vit të mbarë tha se Shqipëria do e përdor këtë mandat të saj si anëtare e jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit si mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës, pasi kjo është një kauzë e shenjtë për vendin tonë.

“Një vit të mbarë për ju e familjet tuaja! Sot nis mandati ynë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Shqipëria do të kontribuojë në adresimin e çështjeve më të nxehta të sigurisë në botë. Mandati në KS, rezultat i lobimit tonë për vite e dekada të tëra. Krenarë që sot Shqipëria shihet nga mbarë bota si një aktor serioz e i matur. Shqipëria do ta përdorë këtë mundësi për të avancuar çështjen e Kosovës. Kosova ka qenë, është e do të jetë një kauzë e shenjtë për Shqipërinë”, tha Xhaçka.

Më 11 qershor 2021 Shqipëria u zgjodh anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023 duke shënuar një ditë historike. Shqipëria ishte vendi i vetëm nga ata që ishin në garë që nuk kishte qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit. Shqipëria bën pjesë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara që nga dhjetori i vitit 1955, me përfaqësues në Asamblenë e Përgjithshme. Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 66 vitesh anëtarësim në OKB, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë.

Shqipëria u paraqit si kandidaturë konsensuale e Grupit të Vendeve të Evropës Lindore. Veprimtaria e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara ka prioritet paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.