I ftohti polar ka filluar të tërhiqet këtë të mërkurë, ndërsa vendi ynë u përball prej ditësh me temperature të pazakonta.
Temperatura është rritur me tre gradë Celsius, ndërsa vendi mbizotërohet nga alternime vranësirash dhe kthjellimesh duke sjellë mot me diell edhe pse të ftohtë.
Sipas ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, nuk ka pasur probleme me mjetet e ujësjellësve, furnizimi ka qenë normal dhe stacionet e pompimit punojnë në kushte optimal.
Në portet dhe aeroportet e vendit nuk ka pasur asnjë problem.
Gjithashtu nuk ka pasur probleme në akset rrugore.
Akset ku duhet të kalohet me zinxhirë janë Bokë-Theth dhe Librazhd-Steblevë, ndërsa temperaturat kanë shkuar përkatësisht -20 dhe -12 gradë Celsius.
Gjatë natës janë raportuar pesë defekte, duke prekur 5 mijë abonentë. Ulja e temperaturave ka rritur me 50% ngarkesën në rrjetin elektrik që kanë sjellë avaritë, kryesisht në qendër të vendit.
Kërkesa për energji deri tani është 27,866 MWh, prodhimi i kaskadës është 15,988 MWh dhe prodhimi në HEC-et e vogla është 5 mijë MWh.
Postimi i Ministrisë së Energjetikës
Sot temperaturat kanë pësuar rritje të lehtë ku në zonat malore, termometri shënoi -12°C deri 01°C, në zonat e ulëta nga -3°C deri 08°C dhe në zonat bregdetare nga 00°C deri 10°C.
Kujtojmë se Shqipëria gjatë ditëve të kaluara po përballej me mot të ftohtë duke krijuar vështirësi në shumë zona, ndërsa shkollat u mbyllën për tre ditë.
Të hënën, skaji më verior i Shqipërisë, Vermoshi,shënoi – 23 gradë C, duke thyer rekord temperaturash, ndërsa në zona të tjera malore termometri shënoi -17 gradë C.