Kryeministri Edi Rama ishte sot në Mullet, për të çelur thirrjen e katërt të programit IPARD II me fokus Turizmin Rural dhe Industrinë e Artizanatit e Manifakturë, për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të investojnë në këto drejtime të turizmit rural.
Kryeministri tha se agroturizmi është një financim jashtëzakonshëm dhe i favorshëm për ata që kanë vizionin dhe vullnetin të zhvillojnë ekonominë e tyre familjare, duke besuar te një potencial i jashtëzakonshëm dhe pak i shfrytëzuar që është i ai fshatit dhe në këtë rast i agroturizmit.
Ai theksoi se: “Ne besoj kemi bërë jo pak, pasi kemi filluar këtë punë në një terren djerrë, duke çelur shtegun për investime në agroturizëm, me bindjen e plotë se Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm në këtë fushë. Agroturzimi është zgjidhja për familjet që jetojnë në fshat. Agroturizmi është përgjigja duke e parë rrugën e zhvillimit nga e kundërta dhe pikërisht pse këto familje jetojnë në një pozicion të tillë rural ku e ke të pamundur të përfshihesh në rrugën e bujqësisë intensive ke disa avantazhe, si ai që të jep natyra, distanca dhe ajo që ti ofron duke bërë që në vend të shkosh ti te tregu të vijë tregu te ty, në vend të shkosh ti tek konsumatorët të vijnë konsumatorët drejt teje. Eksperiencat e krijuara në këtë fushë, që tanimë janë të konsiderueshme në raport nga u nisëm, flasin për favorin e madh që agroturizmi u jep atyre që angazhohen me të.” Janë 73 struktura agroturistike të financuara deri tani nga buxheti i shtetit dhe IPARD, nga të cilat 49 struktura nga IPARD, me një fond të disbursuar rreth 8 milionë euro dhe 24 të tilla nga shteti me një fond mbi 878 mijë euro.
Në thirrjen e katërt të IPARD, sektorët e pranueshëm janë turizmi i natyrës, ai rural dhe industria e artizanatit dhe manifakturës me një buxhet prej 4.1 milionë eurosh, ku 75% është kontribut i BE dhe 25% nga shteti shqiptar. Ata që duan të investojnë në ndërtimin e shtëpive tradicionale, ambienteve të shitjes, qilarëve për kantina ekzistuese, punishteve artizanale, sporteve ujore e malore, do të jenë përfituesit e thirrjes së katërt.