Kryeministri Edi Rama ka thyer heshtjen, ndërsa ka folur për herë të parë në publik për dënimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, diku ‘kampioni’ i qeverisë së tij. Në një konferencë për mediat, kreu i qeverisë është pyetur nga gazetarët për kryefjalën e këtyre dy ditëve, arrestimin e Tahirit, i cili qëndron në qelitë e burgut 313 për shpërdorim detyre.

“Unë nuk komentoj asnjëherë vendimet e gjykatave. E kam ditur mirë se çfarë kam bërë kur kam udhëhequr reformën në drejtësi. 100 herë të kthehesha pas, do bëja të njëjtën gjë. Sot jemi këtu për një cështje krejt tjetër, dhe me një vlerë shumë pozitive për Shqipërinë. Unë nuk do të doja të shfokusoheshim nga kjo cështje. Do kemi plot kohë e mundësi të tjera të flasim edhe për ecurinë e reformës në drejtësi.” -tha ai.