Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se eksportet e mallrave në muajin janar shënuan rritje me 47.5%, krahasuar me janarin e vitit 2021.

“Në janar të vitit 2022 eksportet e mallrave arritën vlerën 35 miliardë lekë, duke u rritur me 47.5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 9.7 %, në krahasim me dhjetor 2021”, deklaroi Ibrahimaj.

Referuar raportit të publikuar një ditë më parë nga Instituti i Statistikave (INSTAT), kontributin kryesor në rritjen e eksporteve për muajin janar e ka dhënë grupi “minerale, lëndë djegëse, energji”, me pothuajse 25% të shtesës së eksporteve krahasuar me një vit më parë.

Në vlerë, eksportet e këtij grupi arritën në 9.4 miliardë lekë, me një rritje prej 162% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregjet kryesore të eksporteve edhe për janarin ishin vendet e Bashkimit Europian, me 76% të vlerës totale të tyre.