Ndërtimi i spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, investimi më i rëndësishëm për shërbimin e nivelit terciar në vend, po vijon me ritme të shpejta për të qenë gati brenda vitit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi sot këtë kantier pune, ku u takua nga afër edhe me drejtuesit e shërbimeve të këtij spitali.

“Me drejtues të shërbimeve të Spitalit të Ri të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT që do të jetë gati brenda vitit, investimi më i rëndësishëm i dekadave të fundit për shërbimin terciar në vend”, tha ajo.

Spitali do të pajiset me aparatura të teknologjisë së lartë dhe pjesë e tij do të jenë edhe 9 salla leksioni dedikuar studentëve të mjekësisë.

Ky është një spital me sipërfaqe 26700 m2. Urgjenca aktuale do transferohet në këto mjedise. Spital do të përfshijë brenda repartet e hemodinamikës që sot janë në godina të ndryshme. Po ashtu, krijohen mjedise për triazhimin dhe shërbime të ndara. Spitali do ketë 317 shtretër dhe gjithashtu edhe një spital ditor me 60 shtretër.