Për herë të parë, kryeministri hungarez, Viktor Orban la të kuptohej për mundësinë e largimit të vendit të tij nga BE-ja.
”Bashkimi Evropian po zhvillon një luftë të shenjtë nën sloganin e shtetit të së drejtës”, tha politikani nacionalist i krahut të djathtë në një fjalim para mbështetësve në Budapest.
”Ne kërkojmë tolerancë nga BE-ja, përndryshe nuk do të mund të vazhdohet në një rrugë të përbashkët”, deklaroi ai.
Orban foli sot, disa ditë përpara se Gjykata Evropiane e Drejtësisë (ECJ) të vendosë mbi mekanizmin e ri të sundimit të shtetit të së drejtës.
Sipas skemës, vendet që shkelin parimet e sundimit të së drejtës mund të kenë fonde të shkurtuara nga buxheti i përbashkët i BE-së.
Hungaria dhe Polonia kanë paraqitur një ankesë kundër mekanizmit, i cili u miratua në dhjetor 2020.
Organet e BE-së dhe organizatat e të drejtave të njeriut akuzojnë Orbanin, i cili ka qeverisur Hungarinë që nga viti 2010, për çmontimin e demokracisë dhe sundimin e shtetit të së drejtës.
Orban e kundërshtoi sot këtë vlerësim.
“Për ta, shteti i së drejtës është një mjet me të cilin ata duan të na brumosin në diçka që u ngjan atyre. Por, Hungaria nuk do të bëhet si Evropa Perëndimore, ashtu siç nuk do të priste që Perëndimi të miratonte politikat hungareze të azilit apo familjes”, tha ai.
“Nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm tolerancë. Vetëm kështu mund të gjejmë një rrugë të përbashkët”, vazhdoi Orban.