Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në emisionin Opinion në Tv Klan gjatë një fluturimi me avion nga Tirana drejt Kukësit me aeroplanin e kompanisë WizzAir.

Rama ka thënë se përveç aeroportit të Kukësit do të ndërtohet edhe aeroporti i Vlorës, që siç u shpreh Kryeministri, me shumë gjata mund të jetë edhe më i madh se aeroporti Nënë Tereza për shkak edhe të kargos.

Po kështu, edhe Saranda do të ketë një aeroport, tha Rama, që do të jetë vetëm sezonal.

“Është shumë e rëndësishme kjo që po ndodh sot sepse hap përfundimisht portën e Kukësit dhe krijon premisë për zhvillim të rëndësishëm ekonomik.

Vlora është në kantier. Vlora e ka afatin e vetë për 36 muaj, ne do mundohemi që të jetë pak më përpara që brenda këtij mandate të fillojmë fluturimin.

Saranda është një aeroport i një natyre tjetër sepse është vetëm sezonal. Vlora do të jetë gjatë gjithë vitit dhe sipas të gjitha gjasave do jetë aeroport edhe më i madh se ai i Tiranës sepse do përfshijë edhe kargo.

Ne kemi një rritje të frikshme në aspektin e prurjeve nga ajri. Aeroporti “Nënë Tereza” është aeroporti me rritjen më të lartë në periudhë pandemie në Europë.

Unë jam i bindur që turizmi do të jetë një transformues i madh në të gjitha aspektet ekonomike dhe në 2030 Shqipëria do jetë vendi me turizmin më të zhvilluar në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Kryeministri Rama gjatë intevistës për Blendi Fevziun. /tvklan.al