Presidenti amerikan, Joe Biden ka shpallur ndalimin e plotë të importeve ruse të naftës, gazit dhe qymyrit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Biden tha se masa u mor si një goditje e fortë që populli amerikan do t’i japë Rusisë, për ta ndëshkuar atë për luftën në Ukrainë.

“Ne nuk do të jemi pjesë e sponsorizimit të luftës së Putinit”, shtoi Biden në një konferencë për shtyp. Pavarësisht frikës në rritje për çmimin e gazit në vend, kjo masë e marrë nga administrata Biden ka marrë mbështetjen politike të të dy krahëve në SHBA.

Çmimi i naftës në SHBA është rritur më shumë se 5%, duke kapur shifrën 130 dollarë për fuçi. Edhe pse çmimi naftës u rrit në SHBA, lëvizja e Biden erdhi e menjëhershme, ndryshe nga BE e cila është më e varur nga nafta ruse. Më herët, KE njoftoi se po planifikon që deri në vitin 2030 të ndalojë plotësisht naftën ruse.