Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, ka pritur të hënën në Bruksel në një mëngjes pune homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian në Bruksel, sipas ”Kathimerini”.

Takimi, i cili u fokusua në perspektivat e anëtarësimit të vendit ballkanik në BE, u ndoq nga ministrat e jashtëm të BE-së, shefi i politikës së jashtme të bllokut Josep Borrell dhe Komisioneri Evropian i Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Oliver Varhelyi.

”Në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian prita homologun e BE-së, Josep Borrell, komisionerin e BE-së Oliver Varhelyi dhe homologun nga Maqedonia e Veriut, Bujar Osmani me fokus përqendrimin në rrugën e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe perspektivën e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, shkroi Dendias në Twitter.

Borrell tha më 14 mars se Komisioni Evropian do të vazhdojë të bisedojë me Bullgarinë për të marrë miratimin e saj për pranimin e Maqedonisë së Veriut në bllok.

Ai tha se çështjet dypalëshe nuk mund të përcaktojnë më një proces pranimi.