Milan bën të madhin pikërisht atëherë kur duhej, thyen Napolin në “Diego Armando Maradona” duke u ngjitur edhe një herë në krye, plus 2 nga Inter, por me zikaltërit që kanë ende një ndeshje për tu rikuperuar. Pas dy barazimeve të papritura kundër Salernitana dhe Udinese, “djalli” rikthehet tek fitorja në një 90-minutësh me pak raste, të vendosur nga detajet.

Nuk munguan as në këtë sfidë protestat, për dy episode në zonë gjatë pjesës së parë. Me fillimin e pjesës së dytë, pas një aksioni karambolesk, Oliver Giroud me një prekje magjike, me një instinkt të pastër sulmuesi, thyen Ospina duke dërguar topin në rrjetë, një gol që në fund rezultoi një trepikësh. Francezi edhe një herë udhëheq Milan në një tjetër sfidë të madhe.

Në përfundim të ndeshjes, Stefano Pioli nuk mund ta fshihte gëzimin por këtë trepikësh por paralajmëron të Milan: “Shpresoj ta kemi kuptuar mësimin. Ndeshjet direkte thuajse kanë përfunduar, vetëm Atalanta dhe Lazio kanë mbetur, duhet të përmirësojmë me ekipet që ndodhen në zonën e rënies nga kategoria”, theksoi Pioli ndër të tjera.