Takimin e kryeministrit Edi Rama me shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi, analisti Redi Shehu e sheh në një spektër tjetër, mjaft interesant.

Së pari, ai theksoi se Rama po provokon në heshtje me simbolika. Nisur që nga data e zgjedhur, 12 Maji! Është fiks një vit nga arrestimi i Fredi Belerit, i cili u kthye dhe në arsyen e tensionimit të marrëdhënieve shqiptaro-greke.

Së dyti, kreu i qeverisë shqiptare ‘pa shumë mund’ krijoi përplasje mes dy forcave politike greke. Përtej këtyre, Shehu thotë se ai po shkon në Athinë si një triumfator sa i takon çështjes së Himarës. Parashikon edhe mënyrën si do flasë para mijëra shqiptarëve, me korrektësi të plotë!

“Nëse ka një gjë që Rama nuk duhet të kritikohej të paktën nga krahu jonë është mënyra si bën politikën e jashtme. Duke u zhvesh nga bindjet dhe pozicionet politike, duhet t’i japim hakun kësaj gjëje, që në marrëdhëniet politike ndërkombëtare Shqipëria ka arritje. Këtë nuk mund ta mohojmë. Kjo vlen dhe për rastin e Greqisë.

Rama i qaset Greqisë në disa forma shumë interesante. Së pari, ai tenton të bëjë një “shah mat” me Mitsotakis duke përdorur disa simbolika. Simbolika e 12 Majit… Për ta ekspozuar palën tjetër, Mitsotakis në inatin e tij. Pra, ai duke përdorur simbolika në heshtje, se nuk janë rastësi…Kjo e detyron palën tjetër të ekspozohet dhe në fakt u ekspozua! Mitsotakis tha “nuk do t’ia lehtësojmë”. Ai e di që me çdo protokoll, i duhet ta mirëpresë…Por ama thotë nuk do t’ia lehtësojmë. Në inatin e tij! Ky inat na shpërfaqet prej kohësh, që fillon që nga historia.

Shkon atje, duke artikuluar me kujdes, për të përçarë spektrin politik grek, jo se ka ndonjë influencë të madhe për ta bërë, po vetë veprimi shkakton përplasje. Syriza me Demokracinë e Re kanë nisur përplasje për shkak të vizitës së Ramës…Që do të thotë nëse ti ke një vit që më shkakton përçarje me Belerin, edhe unë vij atje dhe pa folur, me simbolika, ta fus vendin tënd në një debat politik dhe elektoral. Shkon me kartë triumfaliste! Me çështjen e Himarës shkon atje si triumfator. Jo vetëm që çështja po mbyllet në favor të Greqisë, por shkon atje me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së. Është hera e parë që ndodh në Greqi. Dhe e katërta, kur të shkojë në miting jam i bindur që nuk do përdorë asnjë retorikë kontradiktore, por do mbështesë më shumë dialogun dhe bashkëpunimin mes kombeve. Nga njëra anë me veprime provokon, me artikulim bashkon!“, u shpreh Shehu.