Ministrja Ibrahimaj, u tha sot të gjithë fermerëve të pranishëm në takimin me të dhe me Kryeministrin se duhet të qëndrojnë gjakftohtë dhe të tregojnë durim duke treguar se cilat masa po merren në mbështetje të tyre.

“Sot është dita për solidaritet, prioritizim dhe për gjakftohtësi në vendimmarrje, duke menduar edhe se çfarë do të ndodhë pas 3 muajsh. Kostot e shtuara që ju do të keni sot, nesër do të transferohen në çmim kur të dalë prodhimi. Kjo po ndodh në të gjitha ekonomitë, edhe në Shqipëri.

Ne kemi vendosur të mbështesim fermerët me karburantët sepse ata preken më shumë se çdo kategori tjetër, ashtu si edhe transportin sepse për ata karburanti është 50% e kostove. Kemi prioritizuar ata që kanë më shumë nevojë dhe që goditen më shumë nga rritja e çmimit të karburantit” tha ministrja.

Më tej ajo shpjegoi përfitimet që ata kanë nga mbulimi nga ana e qeverisë për rritjen e faturës së energjisë

“Rritja e çmimit të energjisë prek të gjitha kategoritë e individëve, familjeve, bizneset, buxhetin e shtetit, juve në familjet tuaja, dhe atë ne kemi vendosur të mos e prekim, sepse nëse do ta paraqisnim në faturat tuaja kostot që ne paguajmë realisht për energjinë, do të ishte katastrofike.

Shumë thonë që ne kemi burime për të prodhuar vetë energji, por kur bie shi ne prodhojmë shumë, por kërkesa nuk është vetëm kur bie shi. Sot kostoja që ne paguajmë për energjinë që blejmë është 3-fish e çmimit që paguani ju” shpjegoi ministrja Ibrahimaj.

Ibrahimaj tha se në Shqipëri, ndryshe nga e gjithë Europa, fermerët janë totalisht të përjashtuar nga taksat si dhe të ndihmuar nga subvencionimet e shtetit.

“Ndërkohë, për fermerët ne kemi një sistem që është totalisht i përjashtuar nga taksat, jo vetëm nga ato standarde si TVSH dhe tatim fitimi, siç janë të gjitha bizneset e vogla, ndryshe nga të gjithë Europa.

Ju keni një kosto më të ulët edhe për sigurimet shoqërore, pjesa më e madhe e pensioneve tuaja subvencionohet nga buxheti i shtetit, po ato të ardhura të buxhetit vijnë nga taksat. Ne nuk jemi kompani, nuk gjenerojmë fitime, mbledhim dhe shpërndajmë taksa.

Ndryshe nga të gjithë vendet e tjera të botës, ju jeni të përjashtuar nga taksa e tokës bujqësore, ju nuk paguani ujin që përdorni për vaditje. Ne mbështesim 576 mijë përfitues me 3000 lekë për 3 muaj, shumica janë në zonat rurale” tha Ministrja.

Ajo e mbylli fjalën e saj duke kujtuar se përmes gjakftohtësisë dhe vendosjes së masave të duhura, duke shtuar se për fermerët mbështetja do të vijojë, duke u zgjeruar edhe me një ndihmë për të mitiguar rritjen e kostove për imputet bujqësore.

“Duke u solidarizur, duke qëndruar gjakftohtë e duke marrë politikat e duhura, ne pas pandemisë dolëm nga rënia ekonomike më shpejt se të gjitha vendet e tjera. Ne, në fund të vitit 2020 kishim të njëjtat vende pune si në fund të 2019, falë politikave të kujdesshme dhe të duhura që morën.

Ju siguroj se mbështetja do të vijojë, siç bëmë me çmimet e shportës dhe karburantet, do ta bëjmë edhe me imputet bujqësore” përfundoi Ministrja e Financave.