E gjithë bota është përfshirë nga rritja e çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë. Kështu tha kryeministri Edi Rama në Kuvend, i cili nënvizoi, se madje edhe Gjermania do të paraqesë një plan për kufizimin e furnizmit me gaz të vendit.

‘Është e rëndësishme që ne të biem dakord me faktin se jemi midis një kolektivi vendesh që prekemi nga një luftë që ka nisur në Europë. Nga një agresion ushtarak i Rusisë mbi Ukrainë dhe çdo dalje për ta mohuar këtë nuk i bën nder askujt. Çdo përpjekje për ta filluar atë luftën e katundit këtu dhe për t’i shpjeguar pasojat e luftës në çmime sikur s’kanë lidhje me luftën është realisht e panderë. E gjithë bota është në këtë situatë. Tani është e pamundur që ti fshihesh fakteve, jemi në kushte kur nuk flitet më për çmimin. Ministri i Ekonomisë gjermane lajmëroi e do të paraqesë planin e kufizimit të furnizimit me gaz të Gjermanisë. Gjermania po përgatit planin për të filluar ndërprerjet e furnizimit me gaz. Jemi në kushte kur kriza ka arritur që të prekë Gjermaninë.’- tha Rama.