Kryeministri britanik Boris Johnson njoftoi ditën e hënë se Mbretëria e Bashkuar do të akordojë një ndihmë shtesë prej 230 milionë dollarësh (175 milionë paund) për Ukrainën.

‘Ky është momenti që “miqtë e Ukrainës të krijojnë një koalicion të mbështetjes ushtarake humanitare, ekonomike dhe mbrojtëse për të siguruar që Putini të dështojë në këtë pushtim katastrofik,” tha ai të hënën, ndërsa fliste gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologët e tij holandezë dhe kanadezë në Londra. Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Holanda “qëndrojnë krah për krah” kundër pushtimit rus të Ukrainës, shtoi Johnson. Ai thoi mëtej se do të koordinohen grupet ndërkombëtare për t’i dhënë një ndihmë afatgjatë Ukrainës.

“Grupi ynë i ri ndërkombëtar për mbështetjen e Ukrainës do të koordinojë përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të ofruar ndihmë afatgjatë dhe të palëkundur tani dhe në të ardhmen, dhe ne do të inkurajojmë më shumë vende të bashkohen me ne,” tha Johnson në konferencën për shtyp.

Në 12 ditët e pushtimit rus në Ukrainë, Johnson tha se është e qartë se presidenti rus Vladimir Putin bëri një “llogaritje të gabuar” duke nënvlerësuar Ukrainën.

“Ai ka nënvlerësuar ukrainasit dhe rezistencën e tyre heroike. Ai ka nënvlerësuar liderin e tyre dhe ka nënvlerësuar unitetin e Perëndimit”, tha Johnson.