Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj paralajmëroi bizneset e furrave të bukës që të mos abuzojnë, pasi task forca e ngritur nga qeveria për rritjen e çmimive do të monitorojë jo vetëm çmimin e bukës, por dhe peshën e saj.
Gjatë vizitës në një furrë buke, e shoqëruar dhe nga kryeministri Rama, ministrja kërkoi nga furrat e bukës që të mbajnë një peshore afër kasës në mënyrë që konsumatori të shohë peshën e asaj që paguan.
“Çdo furrë buke ka detyrimin të afishojë çmimin e bukës dhe peshën. Gjatë kësaj periudhe ka patur ankesa të ndryshme që furrat e bukës nuk e respektojnë.
Çmimet po rriten dhe ka një shqetësim për rritjen e çmimve, asnjë tregtarë të mos abuzojë me peshat dhe çdo konsumator të marrë atë që paguan. Ne nëpërmjet task forcës do kemi shumë kujdes të mbikqyrim dhe peshat në mënyrë që të mos ketë abuzime dhe konsumatori të marrë atë që paguan.
E mira do ishte që afër kasës të kishte dhe një peshore, ku konsumatori ta shoh dhe të marrë atë që paguan”, tha Ibrahimaj.