Përplasja mes Partisë Demokratike dhe Shtëpisë së Lirisë duket se ka sjellë edhe lëshimin e parë të nervave mes përfaqësuesve të tyre politikë.

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku bëri një dalje të shpejtë për mediat sot nga Vora, për të akuzuar komisionerët e LSI-së se bllokojnë procesin, por nuk i rezistoi dot tundimit për të bërë një dallim midis PD dhe Shtëpisë së Lirisë, e për rrjedhojë theu heshtjen zgjedhore kur bëri thirrje që qytetarët e Vorës të votojnë për PD-në.

“I kërkoj gjithë qytetarëve të Vorës, të Marqinetit, Marikaj, Muçaj, Pezë, Fushë-Prezë dhe të gjithë zonave përreth në bashkinë Vorë, që të vijnë dhe votojnë për subjektin Partia Demokratike. Në fletën e votimit ka vetëm një subjekt që e përfaqëson opozitën shqiptare që është Partia Demokratike”, u kujdes Tabaku të bënte dallimin mes PD dhe Shtëpisë së Lirisë.

Por, Tabaku, e cila nuk u shfaq asnjë ditë gjatë fushatës zgjedhore për PD në Vorë, kishte mbi 3 javë kohë për të bërë thirrje të tilla dhe jo të shkelte Kodin Zgjedhor dhe të prishte heshtjen zgjedhore, e cila kur kryhet ndëshkohet me gjobë me 500.000 lekë të reja nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Neni 174 Thyerja e heshtjes zgjedhore:
1. Subjekti zgjedhor që thyen heshtjen zgjedhore, sipas nenit 77 të këtij Kodi, gjobitet nga KZQ-ja me 500,000 lekë.
3. Ankimi ndaj vendimit të KQZ-së për gjobën nuk pezullon ekzekutimin e saj.”