Për të ndihmuar në shmangien e një vale tjetër të Covid-19, njerëzit do të kenë nevojë për një dozë të katërt të vaksinës, tha drejtuesi i Pfizer Albert Bourla.
“Shumë variante do të vijnë dhe Omicron ishte i pari që deri diku ishte në gjendje t’i shmangej mbrojtjes imune që ne po japim. Mbrojtja që po marrim nga doza e tretë është mjaft e mirë — në fakt mjaft e mirë për shtrimet në spital dhe vdekjet,” tha Bourla. Por mbrojtja pas tre dozave “nuk është aq e mirë kundër infeksioneve” dhe “nuk zgjat shumë” kur përballesh me një variant si Omicron.
Gjithashtu, edhe Qendrat e Shërbimeve shëndetësore në SHBA kanë rekomanduar se disa njerëz me imunitet të kompromentuar mesatarisht ose rëndë që kanë marrë tre doza të vaksinave Pfizer/BioNTech ose Moderna Covid-19,duhet të marrim dhe një dozë të katërt vaksine. Por nga ana tjetër nuk është e qartë nëse ose kur Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave, mund të autorizojë një dozë të katërt të vaksinës Covid-19 për adoleshentët dhe të rriturit e shëndetshëm.
“Ne thjesht po ia dorëzojmë ato të dhëna FDA-së dhe më pas do të shohim se çfarë do të thonë ekspertët jashtë Pfizer”, tha Bourla. Pfizer dhe Moderna kanë thënë se po punojnë për një vaksinë që do të mbrojë në mënyrë specifike kundër variantit Omicron. Nuk është ende e qartë nëse nevojitet një. Bourla tha se Pfizer gjithashtu shpreson të bëjë një vaksinë që do të mbrojë kundër Omicron dhe të gjitha variantet e tjera të SARS-CoV-2 – virusi që shkakton Covid-19.
Qëllimi është të krijohet “diçka që mund të mbrojë për të paktën një vit”, tha Bourla. “Dhe nëse jemi në gjendje ta arrijmë këtë, atëherë mendoj se është shumë e lehtë ta ndjekim dhe ta kujtojmë, në mënyrë që të mund të kthehemi në mënyrën se si jetonim më parë”, tha ai.