Në një kohë kur bota është përfshirë nga rritja globale e çmimit të naftës, kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me fermerët për Paketën e Rezistencës Sociale. Kreu i qeverisë tha se dje ka zhvilluar një takim me drejtorin e një nga kompanitë franceze më të mëdha të botës, për naftën dhe gazin. Sipas Ramës ai i kishte thënë se goditja e tregut të naftës është për shkak të pasigurisë. Më tej, Rama shtoi se kompanitë e huaja nuk kanë asnjë interes për naftën në Shqipëri.
‘Dje isha me drejtorin e kompanisë Total, franceze. Një nga kompanitë më të mëdha të botës për përpunimin e naftës e gazit. Kanë ardhur këtu sepse duan të investojnë në Shqipëri. Ai ma tha qartë se goditja e tregut të naftës është për shkak të pasigurisë. Nuk është ka rënë prodhimi i naftës në botë. Dhe ata që kanë rezerva kanë rritur çmimin. Nëse lufta mbaron dhe nëse pasiguria bie, çmimi bie menjëherë. Kemi lidhje dhe ne si nuk kemi lidhje. Dëgjoni dhe këtë. Ne kemi këtu Shellin që po bëjmë një eksplorim të rëndësishëm. Kanë nxjerrë gaz në Shpirag. Është në fazën e kolaudimit për të parë sa është ky zbulim financiarisht interesant për ta. Flitet për një sasi të madhe gazi që do ndryshonte ekonominë shqiptare. Ende nuk dihet nëse kjo vjen me fitim sepse kosto e nxjerrjes është shumë e madhe. Kemi edhe En-in, një kompani italiane. Nuk janë të interesuar për naftën në Shqipëri. Për naftën tha nuk kemi asnjë interes. Është naftë e rëndë. Sasitë janë të vogla. Kosto e rafinimit është shumë e lartë. Të bësh diesel apo benzinë me atë naftë të del më shtrenjtë se ta marrësh në fund të botës. Ne naftë nuk kemi.’- u shpreh Rama.