“Scan” ka siguruar ekskluzivisht raportin më të fundit të agjencisë së vlerësimit të kreditit, Moody`s, për Shqipërinë, ku krahasuar me raportin e kaluar, atë të 23 nëntorit të vitit të kaluar, vlerësimet kryesore mbeten të pandryshuara. Sa i përket indikatorëve makro-ekonomik, rritja ekonomike për vitin e kaluar dhe atë aktual është rishikuar në rritje, nga 7.6% në 8.9% për vitin që lam pas, dhe nga 4.2% në 4.5% për vitin aktual. Sa i përket vitit të ardhshëm ndërkohë, Moody`s parashikon një rritje ekonomike pranë 4%.
Pavarësisht situatës, raporti duket se sjell disa lajme të mira. Së pari, sa i përket normës së inflacionit, që parashikohet për të gjithë vitin në 2.6%, paçka se agjencia nënvizon se për pjesën më të madhe të vitit do të vijojë të mbetet mbi objektivin e Bankës Qendrore, pra mbi 3%. Lajmi i dytë i mirë ndërkohë i referohet financave publike. Moody`s nënvizon se pavarësisht faktit se borxhi publik është rritur gjatë vitit të kaluar, do të rinisë trajetoren rënëse duke filluar që prej këtij viti, duke theksuar se aftësia paguese mbetet e njëjtë me periudhën para-krizës së shkaktuar nga pandemia. “Indikatori i aftësisë paguese të borxhit në periduhën 2022-2023 parashikohet në 7.6% të të ardhurave të qeverisë, po aq sa në periudhën para pandemisë, si dhe poshtë nivelit të dekadës së fundit, pranë 9.7%”-nënvizon agjencia mes reshtave në raport. Nga ana tjetër, indikatori i vulnerabilitetit të jashtëm projektohet në rënie këtë vit, nga 51.6 pikë në 2021-shin, në 47.5 pikë në 2022-shin. Kjo rënie duket të jetë rrjedhojë e rritjes së rezervave ndërkombëtare të Bankës së Shqipërisë, por që tregon se pavarësisht krizës së shkaktuar nga pandemia apo situatës me të cilën përballet globi sot, financat vijojnë të jenë të shëndosha dhe larg ndonjë rreziku madhor potencial.
Duke filluar prej muajit shkurt të vitit të kaluar, agjencia po përdor disa mjete të tjera të vlerësimit të kreditit, faktorët ESG, ose më saktë faktorët ambiental, social dhe të qeverisjes. Ndryshe nga termat teknikë mbi të cilat jemi mësuar të “lexojmë” raportet e vlerësimit të kreditit nga agjencitë e specializuara, tanimë, nota e borxhit dhe analiza që bën agjencia për të arritur në një përfundim është më e kuptueshme. Kështu, të tre këta faktorë ndikojnë shumë negativisht në profilin e borxhit të Shqipërisë, nënvizon Moody`s. Madje, sipas agjencisë, ky impakt është edhe më i theksuar se vendet e ngjashme me ne, sa i përket notës së borxhit. Të tre këta faktorë marrin nga një vlerësim, dhe duket se goditjen më të madhe notës së borxhit, Shqipërisë ja jep faktori social. “Ekspozimi ndaj rreziqeve sociale është i lartë dhe lidhet kryesisht me cilësinë e shërbimeve bazike, faktorët demografik jo të favorshëm, emigrimin e lartë, si dhe popullsinë në plakje, që do të peshojë në terma afat-gjatë. Edhe shëndeti, të ardhurat, arsimi, apo puna vlerësohen si burim rreziku për profilin e borxhit të Shqipërisë, paçka se në një nivel më të moderuar”, nënvizon agjencia. Sa i përket notës mbi qeverisjen, vlerësuar si negative e moderuar, agjencia nënvizon se sundimi i ligjit dhe kontrolli i korrupsionit mbeten të dobëta. Nota e vlerësimit për të tre këta faktorë mbetet e pandryshuar krahasuar me raportin e muajit nëntor./Marre nga SCAN http://siu.scan-tv.com/ekskluzive-raporti-i-moodys-per-shqiperine-aftesia-paguese-e-borxhit-ne-te-njejtat-nivele-si-para-pandemise/