Partia Socialiste propozon që administrata zgjedhore të jetë e depolizituar. Në një intervistë për mediat, Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, shprehet se PS është e gatshme që të diskutojë me opozitën në lidhje me punën e dy komisioneve të posaçme parlamentare, atij për reformën zgjedhore dhe atë administrative-territoriale. Gjiknuri deklaron se tashmë ka ardhur momenti që të shkohet te varianti me komisionerë jo politikë. Ai siguron se PS do të jetë në procese normale bashkëpunimi me të gjithë faktorët parlamentarë që janë në Parlament.

Z. Gjiknuri, Parlamenti ka ngritur Komisionet e Posaçme Parlamentare atë të Reformës Zgjedhore por edhe atë administrativo/territoriale. Kur do fillojë puna e këtyre dy komisioneve? Meqenëse ju jeni emëruar nga Partia Socialiste si bashkëkryetar i Reformës Zgjedhore ku do të synoni ju? Ato gjëra që janë parë në 6 Mars a do të reflektohen?

Së pari, ju e dini që opozita ka qenë promotore e këtyre Komisioneve. Unë e thashë pak më parë që opozita është në një gjendje kaotike. Janë shumë flukse ‘pa kokë’ pa sjellë një drejtim të caktuar. Kjo mbase ka sjellë vështirësinë e tyre për t’u ulur në këto Komisione dhe për të pasur një qasje për këto Komisione.

Nga kjo pikëpamje ne presim dhe kur ata të dëshirojnë ne jemi të gatshëm. Ne i ngritëm Komisionet. Unë e kam thënë edhe më parë që nuk rrezikohet mbarëvajtja e zgjedhjeve lokale apo funksionimi i pushtetit vendor nga mosfunksionimi i këtyre Komisioneve sepse në fund të fundit ne kemi një ligj për pushtetin vendor dhe kemi një pushtet vendor funksional. Kemi një ligj zgjedhor që adreson të gjitha nevojat përveç disa rekomandimeve më shumë të karakterit teknik dhe rekomandimeve të kahershme të OSBE/ODIHR që kanë të bëjnë me depolitizimin e administratës. Kjo gjë doli në pah edhe në zgjedhjet e fundit në Vorë ku vetë Partia Demokratike nuk gjente Komisionerë.

Mendoj se ka ardhur momenti që të shkohet te varianti me komisionerë jo politikë. Këto mund të jenë çështjet që do adresohen, por nuk kemi urgjencë. Ne jemi në pritje të qasjes që do ketë opozita. Kur ato të riformatojnë flukset e tyre dhe të kenë një strategji të qartë i mirëpresim në Komisione. Megjithatë nuk është se ka ndonjë panik.

Z. Gjiknuri, ju përmendët disa herë situatën në Partinë Demokratike. Z. Berisha i cili është i shpallur ‘non grata’ nga SHBA ka shprehur vullnetin për ta drejtuar sërish këtë parti politike. A do të bashkëpunojë Partia Socialiste edhe në kuadër të këtyre reformave me Partinë Demokratike?

Ne nuk zgjedhim do drejtuesin e Partisë Demokratike. U takon anëtarëve të Partisë Demokratike të zgjedhin atë që mendojnë. Nëse do të zgjedhin një person ‘non grata’ duhet të mendojnë mirë avantazhet dhe çfarë do t’u sjellë ky person. Kjo është një çështje kostoje dhe benefitesh që duhet ti vlerësojnë ata.

Partia Socialiste do të jetë në procese normale bashkëpunimi me të gjithë faktorët parlamentarë që janë në Parlament. Ne nuk mund të mohojmë që ekziston opozita dhe flukset e ndryshme të opozitës. Prandaj ekziston opozita. Ne e kemi thënë që është e vështirë për tu përcaktuar se kush është drejtimi i atyre flukseve sepse ka disa opozita në Parlament, por përfaqësimi që kanë në Komisione të caktuara, ne do të bëjmë punën tonë brenda kuadrit kushtetues. Jo që të themi që nuk njohim opozitën.

Opozita është realitet dhe nuk do njohje nga ana e qeverisë. U takon anëtarëve të Partisë Demokratike të vlerësojnë që me një person ‘non grata’ a e përputh atë me agjendën dhe perspektivën e Partisë Demokratike për integrimin në Bashkimin Europian apo për axhendën Euro Atlantike? Kjo është një pyetje që ata duhet t’ia drejtojnë vetes. Qëndrimi jonë ka qenë i qartë. Ne jemi Parti që i përkasim vizionit tonë Europian, i përkasim familjeve të shteteve Euro Atlantike dhe besojmë që e ardhmja e Shqipërisë është në këtë drejtim. Pa mbështetjen e partnerëve kryesorë ky vend nuk ka të ardhme, qoftë edhe për sigurinë e tij. U takon të tjerëve pastaj të bëjnë zgjedhjet e tyre.