Sanksionet ndërkombëtare po japin shenja të forta ndikimi mbi ekonominë ruse.
Ushtria ukrainase njoftoi se kompania që prodhon dhe riparon tanket ruse, ka pezulluar punën në fabrikën e saj në pjesën qendrore të Rusisë, në Chelyabinsk për shkak të mungesës së pjesëve të importuara.
Në një deklaratë në “Facebook”, një gjeneral i forcave ajrore të Ukrainës, njoftoi se fabrika Uralvagonzavod ka mbyllur dyert për shkak të mungesës së përbërësve që prodhohen jashtë Rusisë. Nga Inteligjenca ukrainase është bërë e ditur se kjo fabrikë vazhdimisht përdor pjesë perëndimore për prodhimin dhe riparimin e tankeve.
E sanksionet e vëna nga shumica e shteteve perëndimore, kanë filluar të kenë efekt në ekonominë ruse. Një ditë më parë, ministrat e Jashtëm dhe ata të Mbrojtjes nga Bashkimi Evropian u mblodhën për të diskutuar për më shumë sanksione ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.
Mbledhja erdhi para një serie takimesh në mes të aleatëve të Perëndimit për të diskutuar rreth Ukrainës: një samit i BE-së, një samit i NATO-s, dhe takime mes shtatë vendeve më të industrializuara (G7) më vonë gjatë javës. Polonia dhe vendet e Baltikut janë ato që po insistojnë më fort për sanksione më të ashpra ndaj Rusisë, përfshirë importin në naftën dhe gazin rus.