Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Sipas një deklarate të qeverisë, Kurti i ka bërë këto pohime gjatë një takimi virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës.

Ai u tha ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë se “ne nuk dëshirojmë që t’ua pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”. Ai është thënë të jetë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e vendeve të Kuintit në Kosovë, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca.

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç deklaroi në një aktivitet parazgjedhor, se “qeveria e Kurtit kërkon nga Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të lejohen zgjedhjet”, të cilat mbahen më 3 prill. Autoritetet serbe kanë paralajmëruar mbajtjen e një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të vendosur “rreth hapave të ardhshëm”. Udhëheqësi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç pretendon se autoritetet e Kosovës duan t’i pengojnë serbët e Kosovës që të votojnë në 3 prill.

Pjesëtarët e opozitës në Kuvendin e Kosovës i kanë bërë thirrje qeverisë që të ketë kujdes në ruajtjen e sovranitetit të vendit në çfarëdo vendimi që mund të marrë në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.