Gjatë fjalës së saj Ministrja Xhaçka e vuri theksin edhe të domosdoshmëria e Ballkanit të Hapur, dhe raporti i mirë mes fqinjëve të rajonit. Ministrja u shpreh se Balkkani i Hapur nuk do të thotë të harrohet e kaluara por të shihet nga e ardhmja për të zgjidhur pikërisht problemet e të shkuarës.

Fjala e Ministres: 

“E them këtë, sepse e di, e besoj të gjithë e dimë e mund ta bisedojmë hapur si miq, që puna që po bën Shqipëria në rajon në funksion të rritjes së bashkëpunimit rajonal, e posaçërisht puna për nismën Ballkani i Hapur, ka shkaktuar shqetësim tek një pjesë të forcave politike e të shoqërisë shqiptare në rajon, të cilat e kanë kuptuar këtë nismë si një zbehje të mbështetjes së Shqipërisë për Kosovën.

E vërteta padyshim s’është kjo sepse Kosova për ne është e shenjtë, ashtu siç është e shenjtë kauza e shqiptarëve në rajon. E vërteta është shumë më e thjeshtë dhe ka dy pjesë. Në njërën anë, kjo nismë është një mekanizëm që zbaton e përshpejton proceset e parashikuara në Procesin e Berlinit. Përshpejtim i cili sjell përfitime konkrete për të gjithë rajonin, përfshirë shqiptarët.

Ana tjetër, është dimensioni strategjik i kësaj nisme e cila në fakt, ashtu si Procesi i Berlinit, ngrihet mbi filozofinë që zgjidhja e problemeve që ka ende sot rajoni, kalon nga bashkëpunimi e integrimi. Kjo padyshim nuk do të thotë që të harrohet e shkuara. Kjo do të thotë që të shohim nga e ardhmja për ta kërkuar aty adresimin e problemeve të së shkuarës. Një e ardhme që mund ta ndërtojmë së bashku duke replikuar një eksperiencë të suksesshme që ne e dimë, atë të Bashkimit Europian. Por si mund të replikohet kjo eksperiencë në rajonin tonë pa përfshirë në të shqiptarët e serbët, që janë dy popujt më të mëdhenj që përcaktojnë prej shekujsh historinë e rajonit? A nisi Bashkimi Europian me Gjermaninë e Francën, armiq shekullorë me luftëra me miliona viktima, apo me Irlandën dhe Greqinë?

Fqinjët nuk i zgjedhim. Nuk e kemi ne në dorë të vendosim kë kemi në kufi e me kë na ka lidhur për mirë a për keq historia. Ajo që ne kemi në dorë është të ndërtojmë një vizion për të ardhmen që ngrihet përmbi konfliket e të shkuarës dhe që, duken qenë që ka në thelb bashkëpunimin e integrimit, krijimin e lidhjeve njerëzore, ekonomike, tregtare e politike, na ndihmon paskëtaj të trajtojmë në mënyrën më konstruktive e efikase çdo çështje ende të pazgjidhur në rajonin tonë”, u shpreh Xhaçka.

Në fund, Xhaçka tha se sot më shumë se kurrë është një moment sfide për rajonin për shkak të luftës në Ukrainë dhe përpjekjeve të Rusisë për destabilizim.