Fundjava pritet të jetë e ngjeshur për aktorët e politikës shqiptare. Në Tiranë mbërrin Ndihmes Sekretarja e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike Karen Donfried, një vizitë që pritet te ketë një simbolikë të veçantë jo vetëm nga përmbajtja, por edhe nga forma.

Axhenda e zyrtares së lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit parashikon takim me kryeministrin Edi Rama, ku biseda pritet të fokusohet jo vetëm ne politikën e jashtme, si kriza në Ukrainë apo Integrimi në Bashkimin Europian, por edhe politikën e brendshme: si reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit.

24 orë para Kuvendit të Sali Berishës që synon të zgjedhë kupolën e re drejtuese të Partisë Demokratike e dërguara e Shteteve te Bashkuara të Amerikës ka ftuar në takim 3 zyrtarët demokratë të cilët vijojnë të mbështesin linjën e amerikanëve, Jorida Tabakun, Gazment Bardhin dhe Enklejed Alibeajn. Për shkak se selia blu është marrë në kontroll nga Sali Berisha, takimi është caktuar të mbahet në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Ashtu sikurse Gabriel Escobar bëri në Dhjetor, para mbledhjes së Kuvendit të stadiumit edhe shefja e tij, Karen Donfried pritet të bëjë të qartë qëndrimin e amerikaneve nëse drejtimin e partisë me te madhe të opozitës e merr Sali Berisha.

Por, ish kryeministri duket se nuk është i vetmi që refuzohet nga amerikanët. Pak metra me tutje zyrës së Kuvendit ndodhet një tjetër godinë e rëndësishme në hierkinë e shtetit, ajo e Presidentit, por Ilir Meta as këtë herë nuk është përfshirë në axhenden e SHBA.