Bizneset po vuajnë për punëtorë. Në dyqanet, baret dhe restorantet e ndryshme të kryeqytetit shikohen të afishuara tabelat që kërkojnë punëtorë të pakualifikuar. Gati 1 në 6 prej tyre i ka këto tabela. Për ekspertët e punësimit, bizneset kanë vetëm një alternativë për të zgjidhur këtë problem thelbësor: “Bizneset duhet të rrisin pagat që të mbajnë punëtorët dhe të krijojnë kushtet për ta. Nuk po flas për rritje të ulët, por për diçka që të jetë e kënaqshme dhe të tërheqë njerëzit. Këto janë momente kur në treg rolin më të rëndësishëm e ka punonjësi. Do të duhen edhe disa vite deri sa të arrihet një ekuilibër i ri mes kërkesës dhe ofertës. Ka ardhur momenti që punëdhënësit të kuptojnë se njerëzit janë aspekti më i rëndësishëm i biznesit të tyre, tha eksperti Erald Pashaj.
Problemi i mungesës së punëtorëve është shtyrë në këtë pikë nga disa faktorë.
“Ka disa faktorë për këtë. E para është se kemi kërkesë të brendshme dhe të jashtme për punëtorë. Kompanitë janë zhvilluar dhe duan të rrisin fuqinë e tyre punëtore, ndërkohë kemi dhe kërkesë nga jashtë. Ka njerëz që punojnë për kompani të huaja nga Shqipëria, ndërkohë kemi dhe punëtorët sezonalë që ikin në vendet kufitare. E dyta është emigracioni dhe e treta plakja e popullsisë”, shtoi Pashaj.
Tregu ynë i punës ka edhe karakteristika të tjera, ndërsa një grup i konsiderueshëm i njerëzve që nuk punojnë vjen si shkak i pasojave sociale.
“Është një grup të cilët kategorizohen si të papunë afatgjatë. Ata prej një viti nuk futen në tregun e punës dhe është një grup i konsiderueshëm. Kryesisht përbëhet nga gratë shtëpiake, të cilat për shkak të mendësisë, sidomos në zonat rurale nuk punojnë”, evidentoi ai./TCH