Nga Kuvendi i Shqipërisë, Ministrja e Arsimit Evis Kushi sqaroi mbi lajmin që qarkulloi dje në mediat online mbi rankimin global të universiteteve.
Kushi sqaroi se bëhet fjalë për një rankim ku analizohen përmbajtjet e publikimeve në faqet e internetit të universiteteve dhe jo nga vetë institucionet arsimore.
“Lajmi lidhet me renditjen e univeristeteve bazuar në përmbajtjen e faqeve të internetit. Që është inicivativë e një grupi kërkimor spanjoll Cybermetrics Lab, që ka për qëllim analizën sasiore të përmbajtjes së publikimeve në faqet e internetit të universiteteve. Pra të dhënat që merr ky grup kërkimor merren nga faqet e internetit të universiteteve të botës dhe jo nëpërmjet bashkëpunimit me vetë universitetet apo institucione të tjera shqiptare. Qëllimi është të motivojë kërkuesit dhe studiuesit që të jenë sa më aktivë dhe të pranishëm në faqet online të institucioneve të tyre”, tha Kushi.
Ministrja dha lajmin se tashmë, Shqipëria përfaqësohet në renditjen e 400 universiteteve më të mira të Europës Qendrore e Lindore dhe të Azisë Qendrore, me tre universitete, atë të Tiranës, Universitetin Bujqësor dhe Epoka.
“Universitetet shqiptare padyshim duhet të jenë më aktive dhe më të pranishme në faqet e tyre të internetit, por nëse duhet t’i rankojmë sa i takon cilësisë duhet ti referohemi renditjeve zyrtare në të gjithë botën dhe është fjala për renditjen e 400 univeristeteve më të mira në Europë. Për herë të parë Shqipëria është përfaqësuar në renditjen më të mirë, në 2020 fillimisht me UT, në 2021 me 5 universitete dhe këtë vit të konsoliduara me 3 universitete, ai bujqësor, universiteti i Tiranës dhe Epoka”, tha Kushi.