Ministrat e Jashtëm të G7 kanë dënuar “me termat më të ashpër mizoritë e kryera nga trupat ruse në Bucha dhe një numër qytetesh të Ukrainës.” Në deklaratë theksohet se mbështetja për Ukrainën vijon dhe se në ndihmë të saj do të dërgohen pajisje ushtarake dhe mjete financiare në mënyrë që të mbrohet ndaj agresionit rus. Ministrat e Jashtëm të G7 informojnë po ashtu se Rusia do të pezullohet nga këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Në një deklaratë të përbashkët thuhet: “Imazhet tragjike të civilëve të vrarë, viktimave të torturave dhe ekzekutimeve të dukshme, si dhe raportet e dhunës seksuale dhe shkatërrimit të infrastrukturës civile tregojnë fytyrën e vërtetë të luftës brutale të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe popullit të saj.
Masakrat në qytetin Bucha dhe qytete të tjera të Ukrainës do të përfshihen në listën e mizorive dhe shkeljeve të rënda të ligjit ndërkombëtar, duke përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të drejtat e njeriut, të kryera nga agresori në tokën ukrainase.
Ministrat shprehën solidaritetin e tyre me popullin ukrainas dhe ngushëllimet tona më të thella për viktimat. Ne theksojmë mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht dhe shprehim gatishmërinë tonë për të ndihmuar më tej, duke përfshirë pajisje ushtarake dhe mjete financiare, për të lejuar Ukrainën të mbrohet kundër agresionit të Rusisë dhe të rindërtojë Ukrainën. Rusia duhet të pezullohet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.”