Në takimet me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore në Uashington, delegacioni shqiptar përfaqësohej nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Pikat kryesore gjatë takimeve ishin efektet e luftës në Ukrainë, zhvillimet më të fundit ekonomike globale dhe ecuria e reformave në Shqipëri, paraqitja e situatës aktuale makrofiskale si dhe parametrat kryesor ekonomike të Shqipërisë nën influencën e krizës së Ukrainës, situata pozitive dhe e favorshme përpara krizës, kriza energjetike, rritja e çmimeve, si dhe përgatitja e skenareve të mundshëm për përballimin e krizës.
Ministrja Ibrahimaj zhvilloi takime me Alfred Kammer, Drejtor i Departamentit Evropian, zj. Yan Sun, Shefe e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, si dhe përfaqësues nga grupi i BB-së – zj. Anna Bjerde, Zëvendëspresidente për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore,dhe SuriSarvesh, Drejtor i Agjencia e Garancisë Shumëpalëshe të Investimeve,MIGA, grupi i Bankës Botërore.
Gjithashtu u diskutuan dhe ecuria e reformave te nisura nga Qeveria shqiptare.
Nga të dy institucionet u vlerësuan këto reforma pasi kane ndikuar pozitivisht si në terma të rritjes ekonomike dhe zgjerimit të punësimit, çka tregon dhe qëndrueshmërinë e tyre.
Të dyja institucionet ndërkombëtare shprehën gatishmërinë e tyre për të mbështetur teknikisht dhe financiarisht reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare.