Rusia ka filluar ofensivën në Donbas me forca të mëdha ushtarake. Wolfgang Richter, ekspert gjerman i Fondacionit Shkenca dhe Politika shpjegon, se çfarë do të thotë kjo për rrjedhën e mëtejshme të luftës.

Deutsche Welle: Zoti Richter, çfarë objektivash po ndjek Rusia me ofensivën në Donbas?

Wolfgang Richter: Faza e parë e luftës nuk eci mirë për Rusinë. Ajo që ishte planifikuar, pra një ndryshim qeverie, një përparim i shpejtë në zonën qeveritare në Kiev nuk u arrit. Në vend të kësaj pati humbje të mëdha. Mund të mendohet, se deri një e treta e trupave tokësore që ishin në luftë nuk janë më të afta për luftë. Ndoshta sepse nuk ishte menduar një rezistencë kaq e fortë, dhe që ukrainasit do të luftonin me kaq homogjenitet.

Tani po nxirren mësime prej kësaj. Rusia ka vendosur për një kryekomandë qendrore për operacionet në Lindje, që paraqitet si faza e dytë. Që do të thotë se trupat po përqëndrohen për një qëllim ndoshta të realizueshëm vërtet, marrjen e zonave kufitare të Luhanskut dhe Donjeckut e ndoshta edhe më tej. Rusia po përqëndron aty tani të gjithë trupat që kishte në Ukrainë. Po ashtu ata kanë zgjedhur edhe një territor që është i përshtatshëm për operacione me tanke. Zona në jug të Kharkivit, mes Isjumit dhe Luhanksut është një zonë e sheshtë, e hapur dhe me pak pengesa. Që do të thotë, se në sulmin e parë trupat ruse vërtet mund të fitojnë territore. Por Ukraina ka mjete kundër kësaj. Edhe ata kanë grumbulluar forca aty. Nga ana taktike ata kanë vepruar me mençuri, me kundërsulme nga krahët e këtyre forcave dhe kundër linjave logjistike lidhëse të ushtrisë.

A ka Rusia fuqi të mjaftueshme ushtarake për këtë ofensivë?

Deri tani kisha mendimin, se forcat ruse janë përhapur shumë nga ana strategjike, sepse gati dy të tretat e trupave tokësore që kanë në përdorim ishin vendosur në luftë në Ukrainë. Që do të thotë, që ata nuk mund të aktivizojnë shumë shpejt rezerva, sepse ka shumë pika të tjera të rëndësishme e me potencial konflikti që Rusia duhet t’i mbulojë. Kjo fillonn që në veri në Murmansk. Aty është një pikë e rëndësishme mbështetëse për flotën nukleare që ruan ekuilibrin ushtarak me SHBA. Pastaj bëhet fjalë edhe për kufijtë që janë me vende të NATO-s, sidomos me vendet balltike. Pastaj më poshtë deri në Detin e Zi. Edhe në Kaukaz ka rajone, ku prej shumë vitesh kanë vazhduar konfliktet. Azia Qendrore është një pikë e rëndësishme, sepse aty duhet të luftohet kundër terrorizmit islamist. Edhe në Lindjen e Largët nuk duhet të harrojmë që Japonia madje shfrytëzoi momentin dhe ka kërkuar ritkhimin e Kurileve jugore. Ende nuk kemi folur për kufirin shumë të gjatë ruso-kinez. Të gjitha këto duhet mbajtur parasysh.