Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka përkujtuar 73-vjetorin e themelimit të aleancës më të madhe politiko-ushtarake, NATO.
Ministrja Xhaçka ka publikuar në rrjetet sociale një video të godinës së MEPJ e cila është ndriçuar me logon dhe ngjyrat e NATO-s.
Ministrja Xhaçka u shpreh krenare që Shqipëria është anëtare e besueshme e NATO-s, që jep një kontribut që shkon përtej asaj që supozohet të japë një vend me përmasat e vendit tonë, qoftë për garantimin e stabilitetit dhe sigurisë rajonale.
“Sot, njësoj si 73 vjet më parë, është sërish NATO që garanton sigurinë kolektive të hapësirës Euro-Atlantike dhe të botës demokratike. NATO është sot më relevante se kurrë, anëtarët e saj më të bashkuar se kurrë përballë sfidave e kërcënimeve të sigurisë, si ato që vijnë nga agresioni i paligjshëm rus në Ukrainë”, shkruan ministrja Xhaçka.
Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut e quajtur edhe Aleanca e Atlantikut të Veriut, është një aleancë ushtarake ndërqeveritare midis 30 shteteve anëtare, 28 prej të cilave janë në Evropë dhe 2 të tjerat janë pjesë e Amerikës së Veriut.