Kryeministri Edi Rama përcolli mëngjesin e sotëm një panoramë nga Vlora, ku ishte për vizitë një ditë më parë për inspektimin e kantiereve të disa veprave të rëndësishme infrastrukturore.

“Mirëmëngjes, nga Vlora me dashuri”, u shpreh Rama.

Gjatë vizitës në qytetin bregdetar, Kryeministri Rama vizitoi kantierin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, vepra që do të transformojë më tej industrinë e turizmit dhe do të rrisë ndjeshëm ekonominë dhe punësimin.

Rama vizitoi edhe kantierin e Parkut të Shtëpisë së Pavarësisë, projekt ambicioz, i cili është pjesë e transformimit rrënjësor të Vlorës, shumë shpejt do t’u ofrohet qytetarëve vlonjatë, si një infrastrukturë moderne e mirësistemuar, që rrit përmasën e gjelbër të zemrës së qytetit dhe krijon një mundësi urbanistike të re, duke lidhur natyrshëm Bulevardin e Ri dhe Lungomaren.

Ndërsa bashkë me ministren e Bujqësisë, Frida Krifca Rama vizitoi një serë në Tragjas të Vlorës, ku së shpejti falë mbështetjes nga programi IPARD II, do të ndërtohet dhe një pikë grumbullimi për punimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore. Po ashtu Kryeministri Rama vizitoi edhe një pikë përpunimi të peshkut në Dukat të Vlorës.