Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Berlin, kryeministri Edi Rama tha se palët e treta kanë ndikim në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai përmendi Rusinë dhe Kinën dhe tha se kjo bën që aktivizimi i BE-së të jetë më intensiv.

Megjithatë, Rama tha se Shqipëria nuk ka asnjë marrëdhënie të posaçme me Rusinë dhe Kinën. Niveli i investimeve të Rusisë në Shqipëri është zero, tha Rama, ndërsa shtoi se ato të Kinës janë minimale dhe të papërfillshme. Sa i përket Turqisë, kryeministri tha se është partner strategjik dhe personalisht e sheh këtë vend si një valvul të rëndësishme sigurie për të gjithë Europën.

“Sa i përket aktorëve apo palëve të treta me ndikim në Ballkanin Perëndimor unë do të thosha që nuk janë njësoj dhe nuk duhet të kemi shqetësime nga ndikimi i vendeve të treta në të njëjtën mënyrë. Sigurisht që ndikimi i Rusisë në rajonin tonë përbën një problem, për më tepër në kushtet e sotme, çka e bën shumë më të nevojshme aktivizimin më intensiv të BE dhe përpjekjen nga ana e Be për t’i afruar shumë më pranë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor pa përjashtim, ndërkohë që Kina është një vend që ka synimin e vet të deklaruar në të gjithë Europën, më saktë ish-Europën Lindore. Ka edhe një format special të Kinës të quajtur 17+1 me të gjitha vendet ish-komunistet që është një projekt investimesh. Shqipëria nuk ka ndonjë marrëdhënie të posaçme as me njërën dhe as me tjetrën dhe niveli i investimeve të Rusisë në Shqipëri është zero, ai i Kinës minimal i papërfillshëm me të tjerat. Sa i përket Turqisë, Turqia nuk është aktor i tretë, është partner strategjik i Shqipërisë dhe në këndvështrimin tim, Turqia është një valvul e rëndësishme sigurie për gjithë Europën. Me vendet e Gjirit kemi marrëdhënie miqësore prej shumë e shumë vitesh. I kultivojmë ato. Nuk shohim asgjë tjetër përveçse miqve dhe sigurisht janë të mirëpritur në Shqipëri për të bërë investimet e tyre. Prezenca e tyre në vendin tonë dhe në përgjithësi është shumë më e ulët se sa ndonjëherë stërzmadhohet nëpër artikuj dhe vëzhgime sensacionale të medias”, u shpreh Rama.