Gjimnazi “Arif Sula” në Mamurras është rindërtuar nga e para me kushte dhe standarde evropiane. Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga godina e re, e cila ka hapur dyert për 430 nxënës.

“Gati edhe gjimnazi “Arif Sula” në Mamurras, tani një godinë e re, më e madhe dhe më e fortë për 430 nxënës”, shkruan Rama. Rindërtimi i këtij gjimnazi u financua 100% nga qeveria shqiptare përmes Programit të Rindërtimit që i zbatua nga FSHZH.

Godina e gjimnazit “Arif Sula” pësoi dëmtime të mëdha prej tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019. Në këtë shkollë mësojnë 430 nxënës dhe godina është e konceptuar me 3 kate mbi tokë dhe një kat të nëndheshëm, ku janë vendosur palestra dhe terrene sportive. Shkolla ka 13 klasa, 4 laboratorë dhe është pajisur me sistemet e ngrohjes.