Çmimet e produkteve ushqimore në Kosovë po rriten nga viti në vit. Çmimet këtë vit janë cilësuar të papërballueshme nga qytetarët. Kulmin e çmimit, këtë vit e arriti vaji ushqimor. Por, çmimet janë rritur edhe për shërbimet e tjera, si materialet ndërtimore e çerdhet private. Përveç energjisë elektrike, naftës e artikujve të ndryshëm ushqimorë, kohëve të fundit kanë shënuar rritje të theksuar të çmimeve edhe materialet ndërtimore. Në Shoqatën e Ndërtimtarëve kanë treguar se pas fillimit të luftës në Ukrainë, çmimi i hekurit është rritur për 45% e ai i çimentos për mbi 60%. Sipas ndërtimtarëve, ky shtrenjtim ka kosto dhe po ndikon edhe në rritjen e çmimit të banesave. “Çmimi i çimentos, hekurit e drurit ka shënuar rritje të madhe. Nëse marrim për bazë si çmim të fundit atë të datës 22 shkurt, shihet se çmimi i hekurit është rritur për 45%. Çmimi i çimentos, në raport me vitin e kaluar është për 64% më shumë. Edhe te druri, çmimi tashmë është për rreth 50% më i lartë. Normalisht, kjo rrit koston dhe po shkakton mjaft telashe”, ka thënë Faton Hoxha, kryetar i Shoqatës së Ndërtimtarëve.
Pas shtrenjtimit të çmimeve, Hoxha thotë se ka indikacione edhe për ndërprerjen e punimeve. “Ju e dini që punët në ndërtimtari zgjasin edhe me vite. Kështu, kemi kontrata që janë bërë në vitin 2020, kur ta zëmë çmimi i hekurit ka qenë 530 euro për ton, ndërsa tani është 1 mijë e 300 euro për ton. Në këtë situatë, normalisht ose rinegociohen çmimet ose mund të ndërpriten punimet”.
Hoxha thotë se rritja e çmimeve të materialeve ndërtimore po ndikon edhe në çmimin e banesave dhe objekteve të tjera. “Nëse, deri para dy muajve në Mat dhe Emshir në Prishtinë, ku është ndërtimi më i koncentruar, ke mund të blesh metrin katror me rreth 850 euro, si maksimum, tani çmimet me të cilat kanë dalë firmat me ofertë është rreth 1 mijë e 50 euro. Është një rritje gati 30% dhe normalisht që njerëzit ndalen dhe presin”.
Edhe gjatë vitit të kaluar pati rritje të çmimeve në sektorin e ndërtimit. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë tremujorit të fundit të vitit 2021, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020, Indeksi i tërësishëm i Kostos të Ndërtimit në Kosovë shënoi ngritje për 16.0%. Rritjes së çmimeve në Kosovë i janë bashkuar edhe disa nga çerdhet private. Ato tashmë e kanë rritur çmimin e pagesës mujore të paktën për 10%. Këtë rritje e ka konfirmuar edhe kryetarja e asociacionit të institucioneve parashkollore private. Nga 100 euro sa ishte muajin e kaluar, tani prindërit duhet të paguajnë nga 110 euro për qëndrim ditor për fëmijët në çerdhet private.
Ky është çmimi i njërës për çerdheve private në Prishtinë, ndërsa rritje deri 10 për qind ka pothuajse në të gjitha çerdhet. Rritja e çmimeve konfirmohet edhe nga kryetarja e Asociacionit të institucioneve parashkollore private.
Shkak është rritja e çmimeve të përgjithshme në vend. Në tërë territorin e Kosovës sipas MASHT-së janë të licencuara 177 kopshte private që përfshijnë fëmijët nga mosha 0-6 vjeç. Aktualisht në këto kopshte janë të përfshirë rreth 7 mijë fëmijë. E, çmimi i vajit sivjet ka shkuar në “stratosferë”. Nga 1 euro e 54 centë sa kushtonte vjet, tashmë s’mund të gjesh vaj ndër 2 euro. Gjatë marsit, u shit edhe më shtrenjtë. Çmimi ka ndryshuar sërish, e mund ndryshojë prapë. Gjatë një dite të marsit, një litër vaj u shit deri në 3 euro e 49 centë. Ky çmim u vendos nga disa markete, që vendosën ta shfrytëzojnë panikun e qytetarëve pas luftës në Ukrainë, duke e rritur çmimin brenda orës.Krahasuar me mbi para një dekade, çmimi pothuajse është dyfishuar. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2010, një litër vaj mund ta blejë me 1 euro e 22 centë.
Nëntë vite më pas, çmimi ishte edhe më i lirë. Një shishe vaj kushtonte 1 euro e 2 cent. Në 2020-ën, çmimi i vajit ishte 1 euro e 6 centë, derisa në 2021’ën 1 euro e 54 centë. Rritja e çmimeve të konsumit në dy muajt e parë të këtij viti pothuajse e ka dyfishuar inflacionin në Kosovë, në krahasim me mesataren vjetore të vitit 2021. Sipas Indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit, që del nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, inflacioni vjetor gjatë vitit 2021 ka qenë mesatarisht 3.4 për qind. Në janar të këtij viti, inflacioni mujor ka qenë 7.1% dhe në muajin shkurt 7.5%. Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, tha dje se “Është vështirë që të ndërmerret ndonjë masë për parandalimin e rritjes së inflacionit në Kosovë, pasi kjo do të kishte efekte negative në rritjen e ekonomisë së vendit”.
Sipas tij, sulmi rus në Ukrainë, që nisi më 24 shkurt, ka trazuar ekonominë globale, me theks të veçantë atë të Europës dhe ka pasur ndikim jodirekt edhe në Kosovë.