Një tjetër masakër e ushtrisë ruse ndaj civilëve zbulohet në rrethinat e Kievit. Krerët rajonalë thanë se një varr masiv ku ishin groposur trupat e dhjetëra civilëve u zbulua në fshatin Buzova, 35 kilometra në perëndim të kryeqytetit.

Varri masiv u zbulua pas disa ditë kërkimesh në orët e para të së dielës. Mbetet për t’u konfirmuar numri i viktimave, që po i nënshtrohen procesit të hetimit.

Asnjë reagim nuk ka pasur deri më tani nga Moska, për këtë rast. Megjithatë, Kremlini ka mohuar përgjegjësinë për masakrat e tmerrshme ndaj civilëve të zbuluara pas tërheqjes së ushtrisë ruse nga Buça, Borodjanka dhe zona të tjera të populluara të rajonit të Kievit. Jo vetëm qeveria ukrainase dhe aleatët perëndimorë, por edhe banorët vendas e drejtojnë gishtin nga ushtria ruse për masakrat.

Sulmi rus është përqendruar në lindje të Ukrainës. Orët e fundit numërohen 66 objektiva të goditur me artileri nga rusët vetëm në Harkiv, ku flitet edhe për të paktën 10 civilë të plagosur.

Qeveria ukrainase njoftoi se këtë të Dielë janë hapur 9 korridore për evakuimin e civilëve. Në zonat e evakuimit përfshihet edhe Mariupoli, ku deri më tani janë larguar 2/3 e popullsisë.

Numri i civilëve të vrarë në 46 ditë luftime, përllogaritet të jetë me mijëra, ndërsa prokurorët numërojnë 177 fëmijë të vdekur dhe mbi 300 të plagosur.