Prej 23 prilli çmimi i naftës në pikat e karburanteve do të jetë 232 lekë për litër, benzina 212 lekë për litër dhe gazi i lëngshëm 104 lekë. Vendimi më i fundit i Bordit të Transparencës është në fuqi deri në mbledhjen tjetër.
Njoftimi i plotë:
Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 23 Prill 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.
Nisur sa më sipër, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, Bordi vendosi:
Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 23.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:
- 220 Lekë/litri për gazoilin;
- 200 Lekë/litri për benzinën;
- 92 Lekë/litri për gazit të lëngshëm të naftës.
Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 23.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:
- 232 Lekë/litri për gazoilin;
- 212 Lekë/litri për benzinën;
- 104 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).
Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 23.04.2022, ora 18.00 p.m, deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.
Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti,heqje licence dhe sekuestrim.