ULJA E ABORTEVE
Raporti/ 873 raste në vitin 2020 nga 1443 raste në vitin 2015

Në 5 vitet e fundit numri i aborteve të kryera në vendin tonë ka ardhur në ulje, si abortet spontane dhe ato me kërkesë. Referuar studimit të fundit të ISHP-së nga 1433 raste aborti në vitin 2015, janë shënuar 873 në vitin 2020, duke reflektuar në këtë mënyrë ulje të ndjeshme të kërkesave të nënave për abort. Në rang global, 257 milionë gra që duan të shmangin shtatzëninë, nuk po përdorin metoda moderne kontraceptive. Mes tyre, 172 milionë nuk po i përdorin asnjë metodë. Sipas SWOP, raportit të UNFPA “Gjendja e Popullsisë së Botës 2022”, arsyeja kryesore e mospërdorimit të metodave kontraceptive është frika për efekte anësore. Kjo raportohet nga 26% e grave.

Instituti i Shëndetit Publik që prej majit të vitit 2007 ka ngritur sistemin e Survejancës së Abortit sipas Urdhrit të ministrit të Shëndetësisë. Përmes këtij sistemi, ISHP jep të dhëna lidhur me vendbanimin e gruas, gjendjen familjare, shkallën arsimore, sigurimet shëndetësore, punësimin dhe të dhëna të tjera lidhur me llojin e abortit duke dokumentuar në skedë numrin dhe karakteristikat e grave që kryejnë ndërprerje të shtatzënisë. Ulja e numrit të aborteve është një lajm i mirë jo vetëm për planifikimin familjar, për politikat shëndetësore dhe sociale të ndjekura, por edhe në informacionin e plotë dhe të aksesueshme për nënat.

Përveç autoriteteve shëndetësore, plan të mirë të informimit, trajnimeve kanë luajtur edhe organizatat partnere që operojnë në Shqipëri. Konkretisht Unfpa Albania, punon për trajnimin e punonjësve të shëndetësisë për të ofruar shërbime cilësore të planifikimit familjar; mbështetjen e ofrimin e shërbimeve të shëndetit seksual dhe riprodhues miqësor për të rinjtë. Ndihmon në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës dhe infertilitetit. Nxit qasje të reja për t’u siguruar personave në nevojë të kenë akses në marrjen e kontraceptivëve, mbështet forcimin e kapaciteteve prokuruese në lidhje me furnizimet dhe mjetet që lidhen me shëndetin seksual dhe riprodhues sidomos me grupet më të margjinalizuara, sidomos gratë, vajzat dhe të rinjtë që të kenë dhe të ruajnë shëndet të mirë në situata emergjence.

Sipas të dhënave, niveli i aborteve me kërkesë për 1000 gra, ka rënë nga viti 2015 në vitin 2020, dhe ky trend vërehet për të gjithë grupmoshat, përveç grave të moshës mbi 40 vjeç që paraqesin një trend të qëndrueshëm. Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale në vendin tonë ka marrë rol drejtues në forcimin e sigurisë së kontraceptivëve (SK). Me mbështetjen e USAID dhe UNFPA u krijua Sistemi Kombëtar i Informacionit dhe Menaxhimit Logjistik të kontraceptivëve (LMIS).

Këto të dhëna, tregojnë një rënie të konsumit të metodave moderne të kontreceptivëve në sektorin publik, ku kryesisht janë gratë ato që kërkojnë dhe marrin metoda moderne kontraceptive. Sipas studimeve demografike dhe shëndetësore kombëtare për periudhën 2007-08 dhe 2017-18 përdorimi i metodave moderne kontraceptive te gratë e martuara 15-49 vjeç është ulur nga 11% në vitin 2008 në 4% në vitin 2018. Nga studimet e kryera, rezulton se përdorimi i metodave moderne kontraceptive te të gjitha gratë e grupmoshës 15-49 vjeç ka rënë nga 8% në vitin 2008 në 3% në vitin 2018, megjithatë kjo rënie është më e theksuar për gratë e pamartuara dhe seksualisht aktive.
Për të shmangur uljen e numrit të aborteve dhe shtatëzanive të padëshiruara po punohet që të forcohet roli i specialistëve të promocionit shëndetësor dhe ofruesve të shërbimeve të planifikimit familjar, njëherësh dhe ndërgjegjësimi i popullatës, kryesisht të rinjve nëpërmjet fushatave të edukimit dhe promocionit.