Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në prezantimin e flotës së gjelbër të autobusëve elektrikë, që shënon një hap madhor drejt modernizimit të transportit publik në kryeqytet, ka deklaruar se objektivi i Bashkisë së Tiranës është që në vitin 2030 100% e flotës të jetë elektrike.

Përveç transportit urban, tha Veliaj, sot kemi mbi 15 kompani të taksive elektrike në Tiranë të cilat 50% të flotës së taksive në kryeqytet. Kjo dot thotë se taksitë elektrike janë më ekonomike edhe për qytetarët, duke qenë se përdorin energjinë elektrike e subvencionuar nga qeveria që bën që edhe nisjen e udhëtimit ta kenë më të lirë se taksitë normale.

“Plani ynë është që brenda 2030-ës, 100% e flotës të jetë elektrike. Të njëjtën gjë po bëjmë dhe me Bashkinë e Tiranës. Kemi filluar me Policinë e Shtetit dhe jam i sigurt që dhe qeveria do të investojë në çdo blerje të ardhshme të mjeteve që të jenë mjete elektrike. Sot Bashkia e Tiranës është avangardë në të gjithë kryeqytetet e rajonit me më shumë taksi elektrike. E gjithë flota jonë e Policisë Bashkiake është elektrike dhe shpresoj që nëse ne vazhdojmë me këtë rritje, me këtë rendiment dhe me këtë përgjigje pozitive që ka pasur tregu ndaj këtyre incentivave të TVSH së ulur dhe të aksesit të menjëhershëm në transport me taksi, unë besoj që nuk do të jetë e largët dita ku Tirana të jetë realisht vendi i udhëtimit me transport elektrik.
“Sot, – tha Veliaj, – jemi një qytet prej 1.1 milion banorësh dhe një pjesë e rritjes ndodh në mënyrë të natyrshme, një pjesë prej faktit që ne patëm një reformë territoriale e cila Tiranën e 42 km katrorë, bashkë me 27 njësi e transformoi në Tiranën e 1250 km katrorë, duke filluar nga Biza e Martaneshit, deri në Ndroq”.

Për të shmangur trafikun e ndotjen në Tiranë Veliaj tha se duhet hequr dorë nga përdorimi i automjetit për distanca të shkurtra dhe të panevojshme.

“Sot sipas statistikave ne kemi në Tiranë rreth 200 mijë makina në të njëjtin qytet. Janë të njëjtat akse që kemi prej 102 vitesh në Tiranë. Pyetja është: A po i përdorim siç duhet? Matjet tona tregojnë se 50% e lëvizjeve të automjeteve në Tiranë janë për distanca më pak se 1 km, ndërkohë 70% janë më pak se 5 km. Një pjesë e madhe po e përdorin për të blerë bukë, apo për të shkuar te kafja. E kuptoj që me modernizimin e qytetit rritet standardi i jetesës. Po me thelbësore është pyetja për çfarë i ndërtojmë qytetet, për njerëzit apo për makinat?” – vlerësoi Veliaj.